20 Janar 2010

IAIS, miraton përgatitjen e një kuadri të përbashkët për mbikëqyrjen e grupeve të shoqërive të sigurimeve, aktive në nivel ndërkombëtar

(Material i përpunuar, nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtarëve e Rregullatorëve të Sigurimeve (IAIS), janar 2010)

Komiteti Ekzekutiv i IAIS (Shoqatës Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Sigurimeve) miratoi këtë javë rekomandimet për strukturën dhe planin e punës lidhur me një kornizë për t’i mbikëqyrur më mirë grupet e shoqërive të sigurimeve, aktive në nivel ndërkombëtar dhe rreziqet përkatëse në nivel grupi.

Rekomandimet për kuadrin e përbashkët në mbikëqyrjen e grupeve të shoqërive të sigurimeve, të cilat janë aktive në nivel ndërkombëtar, janë përpiluar nga një grup i posaçëm pune, i kryesuar nga Monica Mächler, përfaqësuese e Autoritetit Zviceran të Mbikëqyrjes së Tregjeve Financiare (FINMA).

Plani i punës parashikon përgatitjen e metodave për një monitorim më të mirë të strukturave të grupeve, kombinimit të aktiviteteve tregtare të grupimeve dhe veprimeve brenda grupeve, me idenë për t’i identifikuar rreziqet dhe për të vendosur masa mbrojtëse aty ku është e nevojshme. Gjithashtu, ky kuadër do të përcaktojë kërkesat sasiore dhe cilësore, do të ofrojë një platformë për bashkëpunimin dhe ndërveprimin midis autoriteteve mbikëqyrëse dhe do të mundësojë vënien në zbatim të saj.

Përgatitja e përgjithshme e kuadrit do të bashkërendohet dhe drejtohet nga Komiteti Ekzekutiv, përmes grupit të posaçëm të punës. Planifikohet përgatitja e një materiali të plotë koncepti, i cili do të jetë gati për konsultime në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndërsa kuadri i plotë do të jetë gati, brenda vitit 2013. Kjo do të ndiqet nga vlerësimet e efektit.

Sipas Z. Peter Braumüller, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të IAIS: “IAIS ka kënaqësinë të nisë përgatitjen e kuadrit të përbashkët për mbikëqyrjen e grupeve të shoqërive të sigurimeve me aktivitet ndërkombëtar. Kuadri do t’i vendosë grupet e shoqërive të sigurimeve, të cilat janë aktive në nivel ndërkombëtar në pozita të barabarta dhe do t’u japë mundësi autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve të origjinës dhe të vendeve pritëse t’i kuptojnë dhe mbikëqyrin më mirë këto grupe. Ky kuadër do të jetë një ndihmesë e rëndësishme për punën tonë të përgjithshme për nxitjen e qëndrueshmërisë financiare.”

Për të lexuar materialin e plotë në gjuhën Angleze nga website-i i IAIS, klikoni këtu