30 Prill 2020

Miratohet projektligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”

Kuvendi miratoi sot, më 30 prill 2020, në seancë plenare projektligjin "Për sipërmarrjet e investimeve kolektive". Puna për hartimin e ligjit të ri në fushën e sipërmarrjeve të investimeve kolektive nisi që në vitin 2016 me Projektin “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”.

Gjatë kësaj kohe, AMF-ja është mbështetur nga ekspertët e "Cadogan Financial", nga Banka Botërore, si nismëtare e projektit. Projektligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” është konsultuar me grupet e interesit (duke organizuar takime të përbashkëta me ekspertët, grupe të përbashkëta pune, si edhe nëpërmjet workshopeve që janë organizuar bashkarisht nga ekspertët dhe nga AMF).

Projektligji është hartuar duke patur parasysh dy direktiva kryesore të BE:

  • Direktivën e Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive në Tituj të Transferueshëm (UCITS);
  • Direktivën e Administratorëve të Fondeve të Investimeve Alternative (AIFMD).
Projektligji synon:
 
  • Harmonizimin e kërkesave për themelimin e sipërmarrjes me ofertë publike me pjesëmarrje të hapur ose me intervale (të cilat duhet të kenë shoqëri administruese dhe depozitar), në përputhje me kërkesat e Direktivës për UCITS (Direktiva për sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm), pavarësisht nëse fondi është sipërmarrje e investimeve kolektive apo fond i investimeve alternative;
 
  • Forma të reja organizimi, siç janë fondet e investimeve alternative, të cilat, përkufizohen si të gjitha llojet e fondeve, investimet e të cilave nuk përputhen me përcaktimet e Seksionit III të Kapitullit VII për Sipërmarrjet e Investimeve kolektive në tituj të transferueshem (UCITS), si dhe tipe dhe lloje të reja fondesh, në përputhje me direktivën  (AIFMD);
 
  • Rritjen e mbrojtjes së investitorit përmes rritjes së kërkesave në lidhje me kategorizimin e investitorëve në profesionistë, të kualifikuar dhe jo profesionistë,  vlerësimin dhe llogaritjen e çmimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike dhe dhënien e informacioneve shpjeguese;
 
  • Ofrimin e më shumë dispozitave në lidhje me bashkimin dhe shkrirjen e fondeve, si dhe për ruajtjen, likuidimin dhe mbylljen e fondeve dhe të shoqërive administruese e të depozitarëve;

Ligji siguron bazën e nevojshme legjislative për modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve të investimeve në Shqipëri.