10 Qershor 2021

Takim online mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së dhe Drejtueses së Misionit të FMN-së për Shqipërinë

Në datë 9 qershor 2021 u zhvillua një takim online mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete dhe Drejtueses së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, znj. Yan Sun.

Në takim u diskutua mbi ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit, efektet e pandemisë përgjatë vitit të kaluar, si edhe treguesit kryesorë financiarë. Z. Mete theksoi se tregjet financiare jobankare përgjithësisht u rezistuan efekteve të pandemisë, ndërsa treguesit e muajve të parë të vitit 2021 sugjerojnë rikthimin në normalitet, duke shënuar rritje të të ardhurave dhe aseteve neto.    

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv e informoi Drejtuesen e misionit të FMN-së për Shqipërinë në lidhje me veprimtarinë e Autoritetit në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor e rregullator për tregjet nën mbikëqyrje. Z. Mete u shpreh se miratimi së fundmi nga Kuvendi i ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si edhe ligjet e tjera të miratuara vitin e kaluar “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” përafrojnë kuadrin ligjor me direktivat evropiane.  
  
Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar znj. Yan Sun vlerësoi rolin dhe masat rregullatore të ndërmarra nga Autoriteti përgjatë vitit pandemik, në funksion të garantimit të stabilitetit financiar dhe ruajtjes së treguesve financiarë të shoqërive të tregjeve nën mbikëqyrje.