19 Maj 2022

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF, Z. Ervin Mete në konferencën ndërkombëtare “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”


I nderuar Zv/Kryeministër
E nderuar Ministre e Financave,
I nderuar Guvernator
Të nderuar përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen si dhe t’ju falenderoj për praninë në këtë konferencë, e para e këtij formati dhe e këtyre përmasave për tregjet e kapitalit në Shqipëri, e cila synon të promovojë rëndësinë e zhvillimit të këtyre tregjeve si burim potencial ende i pashfrytëzuar drejt një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.

Konferenca shërben si një platformë dialogu mes aktorëve kryesorë në vend, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta drejt shndërrimit të tregjeve të kapitalit në një alternativë të qëndrueshme financimi përkundrejt burimeve tradicionale.

Vlerë e shtuar do të jenë pikëpamjet e rregullatorëve dhe aktorëve të tregut nga vendet e BE-së dhe të rajonit, të cilët do të ndajnë me ne eksperiencat e tyre në këtë drejtim.  

Eventi organizohet së bashku me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), të cilët gjej rastin t’i falenderoj posaçërisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në drejtim të konsolidimit institucional dhe përafrimit ligjor e rregullator me standardet më të mira ndërkombëtare. 

Mesazhi është i thjeshtë: “Le të shfrytëzojmë potencialin e tregjeve të kapitalit, dhe t’i vëmë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”.

Zhvillimet aktuale gjeopolitike, por edhe situata pandemike e viteve të fundit kanë shtuar edhe më tej nevojën për likuiditet dhe akses në kapital, duke e bërë edhe më të rëndësishëm ekzistencën e një tregu të zhvilluar kapitalesh, mirë-funksionues, eficient dhe të mirë-rregulluar.

Funksionimi i duhur i tregjeve të kapitalit është kyç në forcimin e ekonomisë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Një treg i zhvilluar ofron më shumë mundësi investimi si dhe alternativa të reja financimi. Përmes kanalizimit të kursimeve drejt sektorëve produktivë dhe novativë këto tregje nxisin zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht shoqërohen me përfitime që shtrihen në të gjithë ekonominë.

Një treg i zhvilluar kapitalesh si segment i sistemit financiar ndihmon në diversifikimin e burimeve të financimit, por edhe në zbutjen e ekspozimit të tij ndaj riskut sistemik, duke qenë se risku nuk përqendrohet më i tëri tek sistemi bankar.

Në këtë kuptim, zhvillimi i këtij tregu, krahas sistemit bankar, është një vlerë e shtuar për transformimin dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit financiar shqiptar, prandaj tregjet e kapitalit duhen konsideruar si plotësues të sistemit bankar dhe jo zëvendësues të tij, duke qënë se së bashku ata përbëjnë një model optimal të financimit të ekonomisë.

Për këtë arsye, vlerësohet se një sistem bankar solid së bashku me tregje të diversifikuara të kapitalit janë rrugët kryesore të frymëmarrjes për ekzistencën e një sistemi të shëndetshëm financiar.

Me lëvizjen e lirë të kapitalit dhe ndërveprimin me tregjet e huaja, tregu shqiptar i kapitaleve mund dhe duhet të bëhet tërheqës edhe për investime në tituj nga investitorë jashtë vendit, përfshirë këtu edhe thithjen e investimeve nga diaspora shqiptare.

Por megjithë rëndësinë që ka ky treg, ai karakterizohet ende nga një prezencë e ulët në sistemin financiar shqiptar.

Ekosistemi i tregut të kapitaleve ka ende shumë hapësirë për emetues të rinj në anën e ofertës, përtej emetimit të bonove apo obligacioneve shtetërore nga ana e Qeverisë, apo emetimit të obligacioneve me ofertë private. Në këtë drejtim një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë.

Gjithashtu, në anën e kërkesës, zhvillimi i mëtejshëm i investitorëve institucionalë, si fondet e investimit, fondet e pensioneve apo kompanitë e sigurimit do t’i jepte më shumë hov zhvillimit të tregut.

Ligjet e reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, të cilat harmonizojnë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, kanë përmirësuar ndjeshëm kuadrin e nevojshëm ligjor, standardet e mbikëqyrjes dhe kërkesat për transparencë e mirëqeverisje, të cilat synojnë rritjen e besimit në mekanizmat e tregut, si element thelbësor të nxitjes së pjesëmarrjes së investitorëve në këtë treg.

Në linjë me rregullimet evropiane, aktet e reja ligjore kanë sjellë shumëllojshmëri në ofrimin e shërbimeve të investimit, mundësi të zgjeruar ndërlidhjeje me tregjet globale, si edhe ofrimin e një game të gjerë të instrumenteve financiare.
Së bashku me plotësimin tërësor të infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, ligjet e reja kanë krijuar kuadrin e nevojshëm për zhvillimin e këtij tregu dhe shfrytëzimin e alternativave të reja të investimit.   

Në këtë pikë, çështja që shtrohet është sesi të arrijmë më shpejt dhe më cilësisht këtë zhvillim të dëshiruar të tregjeve të kapitalit në Shqipëri dhe kjo do të jetë ajo që folësit e spikatur të kësaj konference do të diskutojnë në panelet vijuese.