25 Maj 2010

U zhvillua aktiviteti dy ditor “Drejt një mbikëqyrje efektive me fokus rrezikun në sigurime dhe përshtatja e kuadrit ligjor”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore, zhvilloi në datat 24 - 25 maj 2010, në ambientet e hotel "Rogner Europapark", aktivitetin dy ditor “Drejt një mbikëqyrje efektive me fokus rrezikun në sigurime dhe përshtatja e kuadrit ligjor”.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, ku midis të tjerave prezantoi punën e bërë në bashkëpunim me First Initiative, mbi realizimin e Projektit “Për Mbikëqyrjen Efektive”.

Gjatë ditës së parë, drejtues dhe specialistë të AMF, u njohën me arritjet e projektit, punën e AMF dhe të ekspertëve të Bankës Botërore në drejtim të hartimit të manualit të integruar të mbikëqyrjes (on dhe off site), i cili do të shërbejë si guidë në zbatimin e metodologjisë së re të mbikëqyrjes me bazë rrezikun. Zj. Serap Gonulal, eksperte financiare e Bankës Botërore, prezantoi etapat e punës me Projektin First, realizuar në bashkëpunim me BB.  Më pas Zj. Anxhela Dervishi, Drejtore e Analizës e Raportimit pranë AMF prezantoi temën mbi kuadrin aktual ligjor dhe strukturën e mbikëqyrjes në fushën e sigurimeve në vend. Gjithashtu, në këtë panel, ekspertë të Bankës Botërore Z. Peter Van den Broeke dhe Z. Frank Machowiak, parashtruan drejtimet kryesore të përmirësimit të bazës ligjore dhe mbikëqyrjes të fushës së sigurimeve, me qëllim përshtatjen e saj, kësaj metodologjie të bazuar në rrezik. Në përfundim pati mjaft diskutime dhe shkëmbim eksperiencash ndërmjet Bankës Botërore dhe AMF.

Gjatë ditës së dytë, drejtues dhe specialistë të tregut të sigurimeve, u njohën me rezultatet e projektit “Për Mbikëqyrjen Efektive”, si draft-metodologjinë e re të mbikëqyrjes dhe përmirësimet e propozuara në kuadrin ligjor të fushës së sigurimeve.

Temat e trajtuara u ndoqën me mjaft interes e pati diskutime lidhur me eksperiencat përkatëse nga Drejtorët e Përgjithshëm të Shoqërive të Sigurimit.