13 Korrik 2010

Reagim ndaj shkrimit të gazetës “SOT”, të datës 11.07.2010

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare konsideron shkrimin në gazetën "SOT", të datës 11.07.2010 "AMF përqendron letrat me vlerë të Qeverisë në një bankë të vetme", si një disinformim me peshë të madhe për tregun bankar dhe publikun e gjerë dhe për këtë qëllim shikon si të domosdoshëm sqarimin e publikut si vijon:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është krijuar dhe funksionon mbi bazën e Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare".

Funksionet kryesore të veprimtarisë së AMF-së janë rregullimi dhe mbikëqyrja e:

  • tregut të sigurimeve dhe e veprimtarisë së këtij tregu, ku përfshihen të gjitha veprimtaritë e sigurimit, të risigurimit, ndërmjetësimit dhe operacionet që rrjedhin nga këto veprimtari,
  • tregut të letrave me vlerë dhe të veprimtarisë së këtij tregu, ku përfshihen veprimtaritë e subjekteve të lidhura me investime në letra me vlerë e që veprojnë në këtë treg,
  • tregut të pensioneve vullnetare dhe të veprimtarisë së këtij tregu, ku përfshihen të gjitha veprimtaritë e sigurimit të pensioneve vullnetare, të ofruara nga subjektet e licencuara për të operuar në këtë treg,
  • veprimtarive të tjera financiare jo-bankare, sipas përcaktimeve të bëra nga ligjet e veçanta të fushës, që në vijim do të quhen "tregje financiare jo-bankare".

Funksionet bazë rregullative-mbikëqyrëse të AMF-së, parashikohen kryesisht në nenet 2 dhe 13 të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare" dhe përkatësisht në ligjet e sektorëve të mbikëqyrur (Ligji nr. 9267, datë 29.07.2004, "Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime", Ligji nr. 9879, datë 21.02.2008 "Për titujt", Ligji nr. 10197, datë 10.12.2009, "Për fondet e pensionit vullnetar").

Një prej veprimtarive në fushën e letrave me vlerë është edhe ajo e kujdestarit të letrave me vlerë të Qeverisë, e cila është rregulluar, mbështetur në nenin 14, pika 3 e Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare" dhe në nenin 72, paragrafi i fundit i Ligjit nr. 9879, datë 21.02.2008 "Për titujt".

Në bazë të ligjit është detyrë e AMF-së të licencojë të gjithë kujdestarët e letrave me vlerë dhe atyre të Qeverisë.

Për këtë qëllim, Bordi i AMF-së, me Vendimin e tij nr. 21, datë 26.03.2009, ka miratuar Rregulloren "Për kushtet e autorizimit të kujdestarit të letrave me vlerë të Qeverisë", e cila është amenduar me Vendimet nr. 79, datë 28.08.2009; nr. 29, datë 19.03.2010 dhe nr. 69, datë 28.06.2010 të Bordit.

Në këtë Rregullore përcaktohen kushtet e kryerjes së transaksioneve që lidhen me kujdestarinë e letrave me vlerë të Qeverisë dhe mënyrën e autorizimit të bankave për kryerjen e kësaj veprimtarie.

Çdo bankë që dëshiron të kryejë këtë veprimtari i drejtohet AMF-së me kërkesë me shkrim, që shoqërohet me dokumentacionin dhe kushtet që duhet të plotësojë subjekti për të vepruar si i tillë. Kjo kërkesë shqyrtohet nga AMF brenda 60 ditëve të dokumentacionit të plotë të paraqitur pranë saj.
Sipas dispozitës tranzitore të Rregullores, neni 12, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e Rregullores, të gjitha bankat e licencuara më parë si regjistrar të letrave me vlerë të Qeverisë (5 banka të tilla kanë qenë të licencuara nga AMF për këtë veprimtari dhe informacionin për këtë mund ta gjeni në faqen zyrtare të AMF-së http://www.amf.gov.al/) duhet të aplikojnë pranë AMF-së për t'u pajisur me autorizimin për të vepruar si kujdestar i letrave me vlerë të Qeverisë.
Në zbatim të kësaj dispozite janë paraqitur në AMF dhe janë autorizuar prej saj për të vepruar si kujdestar të letrave me vlerë të Qeverisë edhe 2 banka të tjera, përveç "Alpha Bank" sh.a:

  1. "Tirana Bank" sh.a mban Licencën nr. 1, datë 21.05.2010;
  2. "Intesa Sanpaolo Bank" sh.a mban Licencën nr. 2, datë 21.05.2010;

Subjekti i tretë i licencuar është "Alpha Bank" sh.a. me Licensë nr. 3, datë 28.06.2010.

Ndërkohë, kanë paraqitur kërkesën edhe dy banka të tjera për t'u pajisur me autorizimin si kujdestar i letrave me vlerë të Qeverisë, dokumentacioni i të cilave është në proces shqyrtimi.

Nuk ka asnjë "përqendrim nga ana e AMF-së të letrave me vlerë të Qeverisë në një bankë të vetme" siç citohet në artikullin e gazetës suaj, apo përzgjedhje nga ana e saj të bankës kujdestar i letrave me vlerë të Qeverisë.

Çdo bankë që plotëson kërkesat e Rregullores "Për kushtet e autorizimit të kujdestarit të letrave me vlerë të Qeverisë", është e lirë të aplikojë në AMF, për të marrë autorizimin e saj për këtë veprimtari.

Si përfundim, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, thekson që artikulli në gazetën  "Sot"  është disinformues dhe në kundërshtim me politikën e hapur, stimuluese dhe mbështetëse që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndjek.

 

Autoriteti i Mbikëqyrjes Finaciare, 13 korrik 2010