14 Qershor 2023

IAIS miraton raportin e vlerësimit për AMF, përparim domethënës në Parimet Themelore në Sigurime (ICP)

Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) miratoi raportin përfundimtar të vlerësimit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me përputhshmërinë me Parimet Themelore në Sigurime (ICP). Gjatë vitit 2022, Autoriteti iu nënshtrua një procesi rigoroz vlerësimi në lidhje me përputhshmërinë e standardeve dhe praktikave të AMF-së me Parimet Themelore në Sigurime (ICP).

Ky proces vjen pas atij të vitit 2014, të kryer nga FMN dhe Banka Botërore, në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), rekomandimet e të cilit u reflektuan në miratimin e Ligjit nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, si dhe ndryshimeve të ndërmarra në Ligjin nr. 9576, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Procesi i vlerësimit të përputhshmërisë me ICP-të u krye nga anëtarë të IAIS-it, bazuar në Programin e Vlerësimit të Anëtarit dhe përfshiu aspektin ligjor e rregullator, pavarësinë institucionale, procedurat e licencimit, praktikat mbikëqyrëse dhe ato të vlerësimit të rrezikut, mbikëqyrjen e grupeve të sigurimit, etj.

Në raportin përfundimtar të vlerësimit, të përgatitur nga Grupi i Vlerësimit të IAIS-it dhe të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv, rezultoi një nivel i lartë i përputhshmërisë me ICP-të, ku nga 24 parime bazë, 10 prej tyre rezultuan plotësisht të përputhura dhe 12 të tjera me një nivel të lartë përputhshmërie. Ky vlerësim përbën një avancim të ndjeshëm kundrejt rezultateve të vlerësimit të vitit 2014, ku vetëm një parim bazë rezultoi plotësisht i përputhur me standardet ndërkombëtare. Sipas përllogaritjeve, rezulton se mesatarja e ponderuar e përputhshmërisë së ICP-ve është rritur në 77.9%, krahasuar me 47.4% që ishte kjo mesatare në vlerësimin e bërë në vitin 2014. 

Fushat ku është konstatuar progres i ndjeshëm nga Grupi i Vlerësimit të IAIS janë kuadri ligjor dhe ai mbikëqyrës, pavarësia institucionale e AMF, praktikat e licencimit dhe përshtatshmërisë së subjekteve, kërkesat për qeverisjen dhe menaxhimin e riskut, risigurimi, mbikëqyrja efektive ndërkufitare, kuadri ligjor kundër pastrimit të parave në sektorin e sigurimeve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i informacionit, si edhe transparenca.

Në linjë me rekomandimet e raportit, Autoriteti do të vijojë punën në drejtim të rishikimit të kuadrit ligjor e rregullator në fushën e sigurimeve, si edhe përmirësimit të atyre aspekteve ku nevojitet avancim i mëtejshëm me synim përafrimin me Parimet Themelore në Sigurime.