3 Tetor 2011

U zhvillua Konferenca e 18-të Vjetore e IAIS-it

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) zhvilloi gjatë periudhës 26 shtator - 1 tetor 2011, në qendrën e konventës COEX në Seul, Kore, Konferencën e 18-të Vjetore të IAIS-it me temë " Drejt një horizonti të ri për mbikëqyrjen e sigurimeve: bashkëpunimi dhe harmonizimi ndërsektorial dhe ndërkufitar, një sfidë kyçe pas krizës për mbikëqyrjen e sigurimeve dhe industrisë ".

Në aktivitet kishte përfaqësues të 500 mbikëqyrësve të sigurimeve, industrisë, si dhe zyrtarë të lartë të organizatave ndërkombëtare, FMN-së dhe Bankës Botërore.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si anëtar me të drejta të plota e kësaj organizate, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Kryetarja, Zj. Elisabeta Gjoni, Nënkryetarja Znj. Enkeleda Shehi dhe Znj. Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit Juridik.

Diskutimet u përqendruan në mbikëqyrjen me bazë të gjerë dhe çështjet e industrisë, duke përfshirë standardet e sigurimit, menaxhimin e riskut, mbrojtjen e konsumatorit, si dhe zhvillimet e shpejta pas krizës së tregut financiar e përgjigjet politike nga e gjithë bota. Konferenca i dha mbështetje IAIS-it në misionin e saj, për vendosjen e standardeve globale të efektshme të sigurimit, në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.

Ndër temat që u diskutuan gjatë konferencës, përmendim:

Rishikimi dhe miratimi i parimeve themelore të sigurimeve: Që nga kriza globale financiare 2008, IAIS ka ndërmarrë iniciativa për të përforcuar ndjeshëm parimet themelore të sigurimeve IAIS (ICPs), në përgjigje të kërkesës së standardeve rigoroze në mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve. Disa nga këto parime, si parimi mbi mjaftueshmërinë e kapitalit, grupet e sigurimit, qeverisjen e korporatave dhe menaxhimin e riskut u diskutuan dhe u miratuan.

ComFrame për grupet ndërkombëtare aktive të sigurimit: Me njohjen e kufizimeve në qasjen kombëtare për mbikëqyrjen e grupeve ndërkombëtare aktive të sigurimit, pas krizës globale financiare 2008, IAIS ka punuar një kuadër të përbashkët për mbikëqyrjen  që nga korriku 2010. Objektivi i përgjithshëm i nismës Comframe, e cila është planifikuar të përfundojë deri në korrik 2013, është të kontribuojë në stabilitetin e sistemit financiar duke mbyllur boshllëqet në mbikëqyrjen e sigurimeve në botë. Konceptimi dhe struktura e kornizave mbikëqyrëse të sigurimeve janë konsideruar si themeli i ComFrame, gjë që u finalizua në konferencë.

Metodologjia dhe kriteret për përcaktimin e institucioneve të rëndësishme financiare për sistemin: Zhvillimi i kornizës së re, pas krizës për një mbikëqyrje efektive të institucioneve të mëdha financiare, me potencial, për të paraqitur  rrezik për sistemin financiar - të ashtuquajturat institucione sistematikisht të rëndësishme financiare – është një ndër prioritetet madhore politike të IAIS-it. Diskutimet u përqendruan në propozimet për metodologjitë dhe kriteret që do të përdoren, për përcaktimin e institucioneve të sigurimit, me një vlerësim progresi deri më sot.

Diskutimet mbi çështjet kyçe të mbikëqyrjes së sigurimeve: Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e krizës të rregullatorëve të sigurimit dhe mbikëqyrësve, diskutimet e ekspertëve u përqendruan në tetë çështjet kyçe të mbikëqyrjes së sigurimit, duke përfshirë mbikëqyrjen makroprudenciale, ndërsektoriale, diskutime mbi stabilitetin financiar dhe risqet e sistemit, si dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Gjatë konferencës, Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, IAIS, njoftoi dhe pranimin e dy autoriteteve: Autoritetit të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar të Zvicrës (FINMA) dhe Komisionit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Republikës së Lituanisë, në listën e nënshkruesve të Memorandumit Shumëpalësh të Mirëkuptimit (MMoU) IAIS.
MMoU është një nga nismat kryesore të IAIS-it për nxitjen e  tregjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme të sigurimit dhe për rritjen më tej të integritetit financiar e mbrojtjes së konsumatorëve.