6 Tetor 2011

Bordi i AMF-së miraton metodologjinë e re të mbikëqyrjes me fokus riskun për tregun e sigurimeve

Në mbledhjen e datës 6.10.2011, Bordi i AMF-së miratoi metodologjinë e re të mbikëqyrjes në sigurime, nëpërmjet miratimit të Manualit të Mbikëqyrjes me Fokus Riskun, së bashku me planin strategjik të zbatimit.

Manuali i Mbikëqyrjes me Fokus Riskun është produkt i projektit “Për Mbikëqyrjen Efektive”, i financuar nga First Initiative me asistencën e Bankës Botërore. Ky Manual është jo vetëm produkti i parë i këtij lloji por njëkohësisht synon reformim të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve duke e forcuar atë më tej dhe duke e bërë atë më efiçente.

Projekti filloi në vitin 2008, me qëllim forcimin e metodologjisë së mbikëqyrjes, duke synuar një përqasje me fokus riskun. Objektivat kryesore të këtij projekti ishin:

• dizenjimi i një metodologjie efektive të mbikëqyrjes me fokus riskun;
• rritja e kapaciteteve të AMF-së, për të vlerësuar risqet e operatorëve të tregut;
• forcimi i kuadrit rregullativ dhe i mbikëqyrjes së sigurimeve.

Puna dy vjeçare për realizimin e këtij projekti, u konkretizua me sukses në sajë të bashkëpunimit të frytshëm të ekspertëve të Bankës Botërore dhe ekspertëve të stafit mbikëqyrës të AMF-së. Gjatë hartimit të metodologjisë së re janë marrë në konsideratë dhe modele të vendeve, të cilat aktualisht zbatojnë këtë metodologji të re mbikëqyrjeje. Një vëmendje e veçantë iu kushtua dhe punës për adaptimin e kësaj metodologjie në kushtet e tregut shqiptar të sigurimeve.

Koncepti bazë i metodologjisë së re është të identifikojë zonat me rrezik më të lartë në veprimtarinë e shoqërisë së sigurimit dhe kur është e nevojshme, të punojë me menaxhimin e saj në mënyrë që ta ulë riskun në nivele të pranueshme. Objektivi është që problemet financiare të parandalohen përpara se të ndodhin, në vend që të punohet për zgjidhjen e tyre pasi ato të kenë ndodhur.

Në varësi të profilit të riskut, AMF vendos prioritetet mbikëqyrëse dhe shkallën e ndërhyrjes në shoqëri, për të risjellë riskun në nivele të pranueshme për mbikëqyrësin. Në këtë mënyrë, AMF do të ketë një alokim më efiçent të burimeve, duke u larguar nga metodologjia klasike me bazë rregullat. Sipas metodologjisë së re, vëmendje më e madhe do t’i kushtohet operatorëve që paraqesin risk më të lartë, duke përqendruar dhe energjitë në fushat me risk më të lartë.

Ky është një drejtim strategjik tepër i rëndësishëm që do të ketë zbatim afatgjatë në tregun e sigurimeve. Zbatimi për rrjedhojë është menduar të jetë gradual, për t’i lënë kohën e duhur tregut dhe rregullatorit të koordinojnë veprimet dhe të ngrenë kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për kalimin në një regjim mbikëqyrës, ku në thelb është risku.

Në këtë mënyrë, AMF përcakton qartë drejtimet e saj strategjike për forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, duke u afruar përherë e më tepër me standardet më të mira të fushës dhe duke përqafuar tendencat globale të rregullimit në fushën e sigurimeve.