28 Dhjetor 2012

Mbrojtja e konsumatorëve në sigurime, në kushtet e një tregu të liberalizuar, mision kryesor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Në vazhdim të shkrimit të botuar në seksionin “Thellë” të gazetës “Shekulli” datë 27 dhjetor 2012 “Përplasje për tarifat e siguracionit të makinave. Autoriteti i Konkurrencës kundër Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, është e nevojshme të sqarohet se:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka për detyrë të mbikëqyrë dhe të rregullojë tregun e sigurimeve dhe një ndër objektivat kryesorë të tij është mbrojtja e konsumatorit në tregun e sigurimeve. Këtij qëllimi i kanë shërbyer ndryshimet edhe plotësimet e herëpashershme të kuadrit ligjor, si dhe vendimeve dhe rregulloreve që Bordi i AMF-së ka miratuar. Të gjitha këto kanë synuar që konsumatorët të jenë të sigurt për produktet dhe shërbimet që ata marrin dhe, nga ana tjetër, edhe gjendja financiare e shoqërive të sigurimit të jetë e shëndoshë, në mënyrë që ato të mund të shlyejnë detyrimet ndaj qytetarëve. Tregu ka reaguar pozitivisht ndaj synimit të AMF-së për mbrojtjen e konsumatorit. Vlen këtu të shënohet se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2012 u rritën me afro 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për sa i përket sigurimit të detyrueshëm motorik, me ndryshimin në gusht të vitit 2011 të regjimit të tarifave fikse, tendenca në tregun shqiptar të sigurimeve në fillim ka qenë drejt uljes së çmimeve, sjellje e cila jo domosdoshmërisht është e mirë për konsumatorin. Kështu u vërejt se tarifat e sigurimit gati u përgjysmuan, por në fakt rezultoi se kjo praktikë nuk bazohej në koston reale të blerjes se rrezikut të ndodhjes së ngjarjes, për këto produkte sigurimi, kosto kjo e cila është shumë e rendësishme për ruajtjen e gjendjes së shëndoshë financiare të shoqërive të sigurimit. Në fillim të shkurtit të këtij viti, shoqëritë e sigurimit, duke parë ecurinë në treg dhe në kushtet e një tregu të lirë, ku ato vetë përcaktonin çmimet, ndryshuan tarifat e primeve të shkruara bruto për portofolin MTPL.

AMF ka ndjekur në mënyrë të rregullt ecurinë e çmimeve në tregun e sigurimeve të detyrueshme motorike dhe ka monitoruar të gjithë operatorët që veprojnë në këtë treg, duke patur në vëmendje mundësitë financiare të shoqërive për të respektuar angazhimet që ato kanë ndaj  konsumatorëve dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me zotëruesit e kontratave të sigurimit.

AMF, bazuar pikërisht në ndryshimet më të fundit të legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm motorik, ka miratuar rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm, si dhe nivelin e provigjoneve teknike. Provigjonet teknike përfaqësojnë përgjegjësitë aktuale dhe të pritshme që do të rrjedhin nga kontratat e sigurimit. AMF, në miratimin e tyre mban parasysh që provigjonet të jenë në nivele të mjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë që shoqëritë e sigurimit kanë ndërmarrë, si dhe për të ruajtur ekuilibrat ekonomikë të shoqërive të sigurimit.
Në vijim me sa më sipër legjislacioni në fuqi sanksionon që, “...shoqëria e sigurimit të përcaktojë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, ... por jo më pak se niveli i rezervave teknike dhe provigjoneve të përcaktuara nga Autoriteti...”.

Pra, bazuar në legjislacionin ekzistues, AMF i është përmbajtur tërësisht detyrave të veta ligjore. AMF është vënë në dijeni të vendimit të Autoritetit të Konkurrencës dhe duke vlerësuar pozicionin e vet ligjor, detyrimin që ka për të ushtruar kompetencat rregullatore e mbikëqyrëse për të përmbushur objektivin e mbrojtjes së konsumatorit në tregun e sigurimeve, i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës revokimin e këtij vendimi, duke argumentuar edhe pavlefshmërinë e tij.

Në përfundim, theksojmë se vendimet e AMF-së janë marrë vetëm në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe në përmbushje të objektivit themelor të mbrojtjes së konsumatorit dhe ruajtjes së shëndetit financiar të tregut të sigurimeve.


--
* Artikull i përgatitur për gazetën “Shekulli”, datë 28 dhjetor 2012