8 Shkurt 2013

Mbi fillimin e projektit për hartimin e strategjisë së zhvillimit të tregut të letrave me vlerë me mbështetjen e FSVC, USAID

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetjen e Korpusit Vullnetar të Shërbimeve Financiare, FSVC, filloi projektin për hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri.

Në periudhën 4-8 shkurt 2013 ekspertët Igor Gvozdanovic nga Kroacia dhe William Jannace nga SHBA, bashkëpunuan me specialistë dhe drejtues të AMF-së në përcaktimin e fokusit kryesor ku do të përqendrohet zhvillimi i sektorit të letrave me vlerë në vend. Eksperti Igor Gvozdanovic është Drejtor Ekzekutiv i fondit të investimit “Platinum Invest” në Kroaci dhe sjell përvojën e sektorit privat të tregut të kapitaleve për një vend i cili shumë shpejt do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Eksperti William Jannace, jurist i specializuar për tregun e letrave me vlerë dhe vullnetar i FSVC ka punuar edhe më parë në projekte të tilla asistence në Jordani edhe në Rusi.

Grupi i punës për hartimin e kësaj strategjie zhvilloi takime në Kabinetin e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Bankën e Shqipërisë, Bursën e Tiranës, Dhomën e Tregtisë, si edhe me subjektet private që operojnë në tregun e letrave me vlerë.

Misioni i ekspertëve të huaj për tregun e letrave me vlerë do të synojë në:

- Vlerësimin e kuadrit rregullues legjislativ;
- Përcaktimin e nivelit aktual të zhvillimit dhe faktorëve kryesorë që e influencojnë atë;
- Dhënien e rekomandimeve për AMF lidhur me barrierat e mundshme si edhe mundësitë për zhvillim më tej të këtij tregu;
- Hartimin e strategjisë për zhvillimin e tregut te letrave me vlerë në vend.

Projekti dhe veçanërisht ndërtimi i strategjisë për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri është i rëndësishëm për momentin në të cilin ai po zhvillohet. Aktualisht tregu me pakicë i letrave me vlerë të Qeverisë (bono thesari dhe obligacione) është segmenti më aktiv i letrave me vlerë në vend.

Një sinjal pozitiv zhvillimi ishte licencimi dhe fillimi nga veprimtaria, më 1 shkurt 2012, i fondit të parë të investimeve në vend, "Raiffeisen Prestigj". Po kështu në shtator të vitit 2012 u licencua edhe Fondi i Investimit "Raiffeisen Invest Euro".

Gjatë vitit 2012, Bursa e Tiranës nënshkroi një marrëveshje për bashkëpunim rajonal, në krijimin e një platforme rajonale elektronike të tregtimit. Projekti parashikon integrimin e tetë bursave të rajonit në këtë platformë të përbashkët dhe ky zhvillim shihet si hap nxitës për tregun e brendshëm të kapitalit.

Të gjithë këta faktorë, e bëjnë ndërtimin e strategjisë për tregun e letrave me vlerë një nevojë për t’ju përgjigjur dhe paraprirë zhvillimeve ekonomike.

Për më tepër informacion në lidhje me këtë projekt kontaktoni [email protected]