17 Prill 2013

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në përmbyllje të projektit për liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik, prezanton mundësitë për një tarifim me bazë riskun

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që prej shtatorit të vitit 2011 ka filluar projektin mbi Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri. Ky projekt, i cili po realizohet edhe falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, paraqet një mundësi për të kaluar drejt një tarifimi më efektiv, në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, që është ai me bazë riskun. Aktualisht, projekti i cili ka kaluar nëpër disa hapa zhvillimi, është tashmë në fazën përmbyllëse, janë hartuar dokumentet strategjikë, që do të përcaktojnë drejtimet kryesore ku do të fokusohen në të ardhmen shoqëritë e sigurimit dhe AMF.

Sipas këtij projekti është hartuar një plan strategjik veprimi me synimin kryesor që tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik të jenë:

•    Të drejta për konsumatorin dhe t’i shërbejnë atij;
•    Efikase në drejtim të kostos;
•    Nxitëse për një drejtim më të sigurt automjeti duke prezantuar sistemin bonus/malus; 
•    Të qëndrueshme dhe elastike.

Kushtet aktuale të tregut paraqiten të paqëndrueshme dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatjen e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik. Krijimi i një tregu ku çmimet janë të stabilizuara është një detyrë e rëndësishme. Eksperienca botërore tregon se kjo arrihet para së gjithash kur shoqëritë e sigurimit janë të maturuara në drejtim të disiplinave të marrjes në sigurim. Në vende të tjera, ku janë zbatuar qasje të ngjashme, është dëshmuar që frekuenca e aksidenteve rrugore është përgjysmuar pas një periudhe 15-20 vjeçare.

Në zbatim të këtij projekti, AMF ka bërë përmirësime të ndjeshme në Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes Bonus Malus. Një gjë e tillë, i krijon mundësi shoqërive të sigurimit të llogarisin tarifa sigurimi të lidhura drejtpërdrejt me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit. Të dhënat e nevojshme merren tashmë në kohë reale nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Gjithashtu, në sajë të bashkëpunimit dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të dhënat e Regjistrit Elektronik Online të shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, tashmë shërbejnë dhe për kontrollin në kohë reale të vlefshmërisë së policave me sistemin e kontrollit online të vendosur në qendrat operative “eGjoba”, me qëllim uljen e numrit të të pasiguruarve. 

Objektivat themelorë të strategjisë së sigurimit të detyrueshëm motorik janë:

•    Çmime të sigurimit të detyrueshëm motorik bazuar në risk;
•    Ndërtimi i mekanizmave të saktë të grumbullimit të të dhënave;
•    Reduktimi i mashtrimeve duke ndërtuar edhe mekanizmat e përshtatshëm për t’i luftuar ato;
•    Forcimi i kapaciteteve të siguruesve për të menaxhuar bilancet e tyre;
•    Minimizimi i numrit të të pasiguruarve;
•    Prezantimi i reformave të nevojshme ligjore.

AMF beson që në afat-gjatë, përfitimet do të jenë në nivel kombëtar, nëse programi mund të zbatohet. Në shumë vende një qasje e tillë e strukturuar ka ulur ndjeshëm frekuencën e dëmeve dhe primet e sigurimit. Ndërkohë, AMF do të vazhdojë të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit dhe shëndetin e tyre financiar, për të garantuar, që siguruesit disponojnë mjetet e nevojshme për të përmbushur detyrimet ndaj publikut.

Për më tepër informacion, kontaktoni në [email protected]