Faktorët e riskut
Pyetje dhe Përgjigje të Shpeshta
PërditësuarNëse automjetin tuaj ia keni dhënë në përdorim një personi tjetër dhe ai ka shkaktuar aksident med këtë mjet, dëmi i raportuar merret në konsideratë edhe në historikun tuaj të dëmeve si policëmbajtës/pronar i mjetit.
Për këtë arsye, kur për mjetin e siguruar në emrin tuaj raportohet një dëm, ky dëm ndikon në klasifikimin tuaj në sistemin Bonus-Malus. Si pasojë, ju klasifikoheni me statusin “Malus” dhe kjo ndikon në primin e sigurimit.
2. Nëse kam disa mjete në pronësi dhe kam bërë aksident vetëm me njërën, si klasifikohem për mjetet e tjera?
Sistemi Bonus-Malus bazohet në historikun e dëmeve të policëmbajtësit, pra në historikun tuaj si person që lidh kontratën e sigurimit, dhe jo vetëm në historikun e një mjeti të caktuar.
Historiku i dëmeve është një faktor që lidhet med personin, ashtu si mosha apo eksperienca në drejtimin e mjetit. Për këtë arsye, nëse keni disa mjete në pronësi dhe për njërën prej tyre është raportuar një dëm, ky historik merret parasysh edhe gjatë sigurimit të mjeteve të tjera në pronësinë tuaj.
3. Po nëse shkaktar i aksidentit është një person tjetër me mjetin tim, si klasifikohem për mjetet e tjera që kam në pronësi?
Nëse një person tjetër shkakton aksident me mjetin tuaj, dëmi i raportuar për këtë aksident merret në konsideratë edhe në historikun tuaj të dëmeve si policëmbajtës/pronar i mjetit.
Për këtë arsye, përveç personit që ka shkaktuar aksidentin, edhe ju klasifikoheni në statusin “Malus”, pasi dëmi lidhet me mjetin e siguruar në emrin tuaj. Nëse keni edhe mjete të tjera në pronësi, ky historik dëmesh merret parasysh edhe gjatë sigurimit të tyre. Si pasojë, klasifikimi në statusin “Malus” ndikon edhe në primin e sigurimit për mjetet e tjera.
4. Kam shitur mjetin, bur më ka dalë statusi “Malus” për një aksident të shkaktuar nga blerësi pas shitjes. Çfarë duhet të bëj?
Kjo situatë mund të ndodhë kur, pas shitjes së mjetit, ndryshimi i pronësisë nuk deklarohet pranë shoqërisë së sigurimit ku mjeti është i siguruar dhe, për pasojë, polica vijon të figurojë në emrin e pronarit të mëparshëm. Në këtë rast, një dëm i shkaktuar pas shitjes së mjetit mund të regjistrohet në historikun e dëmeve të personit në emër të të cilit vijon të figurojë polica.
Nëse konstatoni një rast të tillë, duhet t’i drejtoheni fillimisht shoqërisë së sigurimit, duke kërkuar verifikimin e të dhënave dhe korrigjimin e historikut të dëmeve, duke paraqitur dokumentacionin që provon shitjen e mjetit. Nëse nuk merrni përgjigje ose nuk jeni dakord me përgjigjen e dhënë, mund t’i drejtoheni Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në adresën: [email protected] ose [email protected]
4.1 Si mund ta shmang këtë situatë pas shitjes së mjetit?
Pas shitjes së mjetit, ndryshimi i pronësisë duhet të deklarohet menjëherë pranë shoqërisë së sigurimit ku mjeti është i siguruar.
- Blerësi duhet të njoftojë shoqërinë e sigurimit dhe të kërkojë pajisjen me dublikatë të kontratës së sigurimit TPL në emër të tij, si pronar i ri i mjetit.
- Shitësi duhet të sigurohet që blerësi e ka kryer këtë veprim. Nëse blerësi nuk e ka deklaruar ndryshimin, shitësi duhet ta njoftojë vetë shoqërinë e sigurimit për shitjen e mjetit, duke paraqitur dokumentacionin që provon kalimin e pronësisë.
5. Çfarë duhet të bëj nëse një dëm është regjistruar gabimisht në emrin tim?
Nëse një dëm është regjistruar gabimisht në emrin tuaj, për shkak të një gabimi në raportim, si p.sh. emri i njëjtë, numri identifikimi, targe ose të dhënash të tjera, duhet fillimisht t’i drejtoheni shoqërisë së sigurimit që ka raportuar dëmin.
Shoqëria e sigurimit do të kryejë verifikimet përkatëse në dosjen e dëmit dhe në të dhënat e raportuara në sistemin elektronik të administrimit të dëmeve. Nëse konstatohet se dëmi është regjistruar gabimisht, shoqëria ka detyrimin të korrigjojë të dhënat e raportuara, në mënyrë që historiku juaj i dëmeve të pasqyrojnë saktë situatën reale.
Nëse nuk merrni përgjigje nga shoqëria e sigurimit, ose nuk jeni dakord med përgjigjen e dhënë, mund t’i drejtoheni Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në adresën: [email protected] ose [email protected]
Nëse keni pyetje të tjera ose keni nevojë për sqarime të mëtejshme lidhur me sistemin Bonus-Malus, mund t’i drejtoheni Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në adresën: [email protected].
Faktori i riskut “Historiku i dëmeve”, i cili zbatohet në përcaktimin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, përfaqëson historikun e dëmeve të të siguruarit dhe merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
Bazuar në rregulloren e miratuar nga Autoriteti, nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, të gjithë faktorët e riskut zbatohen në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL e brendshme.
2.Si funksionon faktori “Historiku i dëmeve”?Faktori i riskut “Historiku i dëmeve”, i cili zbatohet për të gjithë drejtuesit që kanë në pronësi mjete të kategorisë së autoveturave, duke u bazuar në numrin e dëmeve të raportuara, ndahet në tre klasa:
- I. Klasa e parë përfshin të siguruarit të cilët nuk kanë raportuar asnjë dëm gjatë vitit, të cilët përfitojnë ulje të primit të sigurimit;
- II. Klasa e dytë përfshin të siguruarit me një dëm të raportuar, për të cilët aplikohet rritje në primin e sigurimit, ndërsa
- III. Të siguruarit me dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit, përfshihen në klasën e tretë, në të cilën aplikohet rritja e primit të sigurimit është edhe më i lartë se në klasën II.
Rregullorja nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, e miratuar nga Autoriteti, përcakton faktorët e riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL e brendshme, si dhe metodologjinë e përdorur në aplikimin e këtyre faktorëve.
Bazuar në këtë rregullore, shoqëria e sigurimit, në përllogaritjen e primit të sigurimit, zbaton këta faktorë kryesorë risku:
- Historiku i dëmeve. Ky faktor merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit. Një historik pa dëme reflektohet me ulje të primit të sigurimit (përfitim), ndërsa një historik me dëme reflektohet me rritje të primit të sigurimit (penalizim).
- Fuqia motorike. Ky faktor reflekton ndikimin e fuqisë motorike në nivelin e primit, ku mjetet me fuqi më të vogël motorike përfitojnë një prim më të ulët sigurimi se mjetet me fuqi më të madhe motorike.
- Mosha e të siguruarit. Të siguruarit e grupmoshës 18 – 21 vjeç tarifohen më tepër se të siguruarit e grupmoshave të tjera.
- Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik. Të siguruarit e ndryshëm nga 18–21 vjeç dhe që kanë eksperiencë drejtimi deri në dy vite tarifohen më tepër se të siguruarit e tjerë.
- Përdorimi i mjetit. Mjetet në pronësi të subjekteve tarifohen më tepër se mjetet në pronësi të individëve.
- Qarku i regjistrimit të mjetit. Mjetet e regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës tarifohen më pak se mjetet e regjistruara në qarqet e tjera.
- Vjetërsia e mjetit. Mjetet e reja, të prodhuara në vitet e fundit, tarifohen më pak se mjetet e vjetra.
Shoqëria e sigurimit publikon në faqen zyrtare të internetit koeficientët e faktorëve të riskut, të shoqëruar me shembuj zbatimi në praktikë.
Gjithashtu, në funksion të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit, të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë krijuar e publikuar mjete online (tools) për përllogaritjen e primit të sigurimit.
Më poshtë gjenden lidhjet për çdo shoqëri sigurimi:
- Albsig sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Ansig sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Atlantik sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Eurosig sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Insig sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Intersig VIG sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Sigal IG sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
- Sigma VIG sh.a.: Koeficientët | Përllogaritësi
Mund ta kontrollosh tek shoqëria e sigurimit, duke kërkuar pasqyrën e historikut të dëmeve dhe klasën Historiku Dëmeve që të është aplikuar.
6.Historiku lidhet me mjetin apo drejtuesin?Referuar Rregullores nr. 156, datë 19.09.2024, faktori i riskut “Historiku i dëmeve” do të zbatohet si për të siguruarin në emër të të cilit është i siguruar mjeti motorik , ashtu edhe për shkaktarin e aksidentit edhe në rastet kur ai nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
7.Ku ankohen qytetarët?
Për çdo parregullsi qytetarët mund të ankohen pranë:
a) Pranë shoqërisë së sigurimit
b) Nëse nuk zgjidhet, tek AMF: [email protected]
Shqip
English