Integrimi Europian
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) është konsideruar si prioriteti më strategjik kombëtar, i cili udhëheq agjendën qeverisëse të vendit. Që nga qershori i vitit 2014, Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE.
Bashkimi Europian ka marrë zotimin për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor në Samitin e Selanikut në qershor të vitit 2003, ku Shqipëria, së bashku me vendet e tjera të rajonit u identifikuan si vendet kandidate potenciale për anëtarësim.
Në qershor të vitit 2006, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Kjo marrëveshje zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme me Komunitetin Ekonomik Evropian mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar, nënshkruar në maj të vitit 1992.
Objektivi i kësaj qasje të re politike të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhet me rritjen e stabilitetit rajonal dhe parapërgatitjen e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Në dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave, duke lejuar qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen.
Në vitin 2009, Shqipëria gjithashtu paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian paraqiti një Opinion (në vitin 2010), me kërkesën e Këshillit Evropian në lidhje me aplikimin për anëtarësim, duke vlerësuar se Shqipëria kishte ende për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, në mënyrë që të arrinte një shkallë të nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit.
Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat për anëtarësimin në BE, në varësi të përfundimit të reformave, veçanërisht në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike.
Në qershor të vitit 2014, Këshilli Europian i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Marrja e këtij statusi shënon një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi reflekton ecurinë e reformave të ndërmarra dhe i hap rrugë procesit të plotë të aderimit të vendit në BE.
Pas përmbushjes së prioriteteve, bëhet miratimi dhe vënia në zbatim e acquis të BE-së, e cila ndahet në 35 kapituj. Ecuria për secilën prej tyre monitorohet dhe vlerësohet nga Komisioni Evropian. Vetëm pasi bisedimet dhe reformat shoqëruese të kenë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët (Shqipëri dhe BE), vendi mund të bëhet pjesë e unionit.
Hapja e Negociatave
Hapja zyrtare e negociatave me Shqipërinë u vendos më 2020, pas një periudhe të gjatë të vlerësimit të përparimit nga ana e Këshillit të BE-së. Kjo fazë u pasua nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare në vitin 2022, duke shënuar fillimin formal të procesit të negociatave.
Viti 2024 rezultoi një vit historik për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, pasi në datën 15 tetor 2024, në Luksemburg, Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat me hapjen e grupkapitullit të parë “Themelorët”, në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE. Në këtë mënyrë Shqipëria u bë vendi i tretë kandidat i Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi dhe Serbisë, pas hapjes së kapitujve të negociatave. Integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane është një objektiv strategjik dhe një proces i gjatë dhe kompleks. Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e Tretë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku Shqipëria hapi grupkapitullin e gjashtë, i cili përfshin “Politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen”.
Hapat e procesit të integrimit
Komisioni Evropian shpjegon acquis e BE-së për Shqipërinë, e cila është shtylla të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që lidhin anëtarët e BE-së.
Shqipëria paraqet nivelin e saj të përputhshmërisë me acquis e BE-së dhe shpreh gatishmërinë e saj për të përafruar plotësisht legjislacionin e saj.
Pas vlerësimit bilateral, Komisioni Evropian (KE) përgatit një raport vlerësimi. Ky raport i paraqitet shteteve anëtare të BE-së dhe përfshin gjetjet për çdo kapitull. Ai përfundon me një rekomandim për hapjen e negociatave direkt apo plotësimin e disa kushteve fillimisht.
Vendosen kushtet për fillimin e negociatave...
Para fillimit të negociatave, Shqipëria duhet të paraqesë pozicionet e saj negociuese ndërsa BE-ja, nga ana e saj, paraqet një pozicion të përbashkët.
Për shumicën e kapitujve të politikës, BE-ja vendos kritere ndërmjetëse ose mbyllëse që Shqipëria duhet t'i përmbushë para se të mbyllen negociatat në atë fushë specifike.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE përfundohet kur të gjitha negociatat dhe reformat shoqëruese të jenë përfunduar në mënyrë të kënaqshme nga të dyja palët.