Integrimi Europian
Kapitulli 9 “Shërbimet Financiare” është pjesë e Grupkapitullit II, Tregu i Brendshëm.
Kuadri ligjor i BE-së për shërbimet financiare mbulon sektorin bankar, sigurimet, pensionet private dhe shërbimet e investimeve, si dhe tregjet e kapitalit. Tre aspektet kryesore të legjislacionit janë:
- Rregullat për autorizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve dhe tregjeve financiare;
- Rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare;
- Standardet për bashkëpunimin e institucioneve mbikëqyrëse të tregut financiar.
Në veçanti, për secilin nga segmentet e tregut të shërbimeve financiare, direktivat dhe rregullat e BE-së përfshijnë:
- Shërbimet bankare: rregullat garantojnë funksionimin e sigurt, me kapital të mjaftueshëm kundër rreziqeve, të bankave dhe institucioneve bankare, duke mundësuar ruajtjen e besimit të konsumatorëve.
- Shërbimet e sigurimeve dhe pensioneve: rregullat përcaktojnë mënyrën e licencimit dhe funksionimit të kompanive të sigurimit të jetës dhe jo-jetës, si dhe të fondeve të pensionit, me qëllim mbrojtjen e përfituesve dhe të siguruarve.
- Shërbimet e investimit dhe instrumentet financiarë: rregullat mbrojnë investitorët, garantojnë transparencën e tregjeve të instrumenteve financiare (si bonot, titujt etj.) dhe parandalojnë mashtrimet financiare.
- Mbikëqyrjen financiare: rregullat garantojnë mbikëqyrje dhe kontroll të fortë të autoriteteve shtetërore mbi institucionet financiare.
- Mbrojtjen e konsumatorit: rregullat përcaktojnë standardet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe transaksioneve të tyre financiare, duke përfshirë trajtimin e ndershëm dhe informimin e tyre.
Institucioni udhëheqës i negociatave për Kapitullin 9:
- Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF)
Institucione kontribuese:
- Banka e Shqipërisë (BSH)
- Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD)
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucioni lider i Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”. Institucione kontribuese për këtë kapitull janë Banka e Shqipërisë (BSH) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD).
Kapitulli 9 - “Shërbimet Financiare” negociohet së bashku me 8 kapituj të tjerë në grupkapitullin 2 - Tregu i Brendshëm. Autoriteti kontribuon gjithashtu edhe në kapituj të tjerë si pjesë e grupeve ndërinstitucionale.
Progresi i arritur në Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” e vendos Shqipërinë përpara vendeve të tjera të rajonit në këtë fushë, referuar gjetjeve të Progres Raportit 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Me avancimin nga “mesatarisht i përgatitur” në “mesatarisht i përgatitur/nivel i mirë përgatitjeve”, Kapitulli 9 është i vetmi ku Shqipëria rezulton më e avancuar krahasuar me vendet që i kanë hapur më herët negociatat e anëtarësimit. Shqipëria vlerësohet për progresin e kryer në harmonizimin e kuadrit ligjor e rregullator me acquis të BE-së.
AMF, si lider i Kapitullit 9, ishte institucioni drejtues në takimin bilateral që u mbajt në datat 13-14 shkurt 2023, në Bruksel. Në takimet dyditore u paraqitën 34 prezantime, ku u pasqyrua puna për hartimin dhe rishikimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe mbikëqyrës, me qëllim përafrimin e tij me acquis të BE-së (57 direktiva dhe rregullore) në fushën e tregut financiar bankar dhe jo-bankar.
Pas takimeve bilaterale në maj 2024, Shërbimet e Komisionit Evropian i përcollën Shqipërisë Raportin Screening për Grupkapitullin 2. Në vijim të dërgimit të këtij raporti, për Grupkapitullin e Dytë “Tregu i Brendshëm” (ku përfshihet edhe Kapitulli 9), u përgatit Pozicioni Negociues në shqip dhe anglisht.
Pozicioni negociues përmban të gjitha angazhimet për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së. Shqipëria pranon të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga acquis dhe angazhohet të përqendrojë vëmendjen në përafrimin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, me synim arritjen e një performancë të suksesshme në zbatimin e tyre. Shqipëria është e përkushtuar për të fuqizuar kapacitetet e saj institucionale dhe administrative për zbatimin efektiv të legjislacionit të BE-së, duke siguruar arritjen dhe ruajtjen e standardeve evropiane.