Integrimi Europian
Përafrimi i kuadrit ligjor në fushën e shërbimeve financiare me acquis (direktivat dhe rregulloret e BE-së), lind si detyrim për përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të zbatimit të neneve 50, 57, 70, 82 dhe 89 të MSA-së.
Acquis në kapitullin 9 rregullon shërbimet financiare në fushën bankare, sigurimeve, pensioneve private, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të kapitaleve. Përcakton standarde minimale në lidhje me autorizimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të shërbimeve financiare, duke siguruar ofrimin e sigurt të shërbimeve financiare mbi baza ndërkufitare.
Zbatimi i acquis të BE-së nga ana e Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, arrihet përmes një kuadri të konsoliduar ligjor dhe strategjik. Shërbimet financiare kanë një nivel të mirë të përafrimit me acquis e BE-së dhe një nivel përgatitjeje ndërmjet mesatar dhe të mirë.
Kuadri ligjor i kapitullit 9 pasqyron një qasje gjithëpërfshirëse dhe largpamëse për qeverisjen financiare dhe përfshin ligjet si më poshtë:
- Ligji Nr. 9572/2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i ndryshuar;
- Ligji Nr. 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligji Nr. 9662/2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Ligji Nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”;
- Ligji Nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”;
- Ligji Nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”;
- Ligji Nr. 76/2023 “Për fondet e pensionit privat”;
- Ligji Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”;
- Ligji Nr. 100/2023 “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”;
- Ligji Nr. 133/2013 “Për sistemin e pagesave”;
- Ligji Nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”;
- Ligji Nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”;
- Ligji Nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar;
Shqipëria ka forcuar angazhimin e saj nëpërmjet miratimit të strategjive të mëposhtme:
- Strategjia e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) 2023-2027,
- Strategjia për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare 2023-2027,
- Strategjia e Gjelbër Afatmesme 2023-2025,
- Strategjia Afatmesme e Zhvillimit e Bankës së Shqipërisë 2024-2026 dhe
- Strategjia Kombëtare e Edukimit Financiar 2022-2027.
Këto strategji synojnë përafrimin me standardet e BE-së, edhe nxitjen e edukimit dhe përfshirjes financiare, e cila thekson vendosmërinë e Shqipërisë për të rritur prosperitetin ekonomik.
Nënkapitujt e Kapitullit 9, janë si më poshtë:
- Bankat dhe konglomeratet financiare
- Sigurimet dhe pensionet
- Infrastruktura e tregut financiar
- Tregu i titujve dhe shërbimet e investimeve
- Financat e qëndrueshme
Përgatitjet gjithëpërfshirëse dhe masat proaktive të Shqipërisë janë një tregues i rrugëtimit të qëndrueshëm drejt anëtarësimit në BE, me fokus të veçantë në përafrimin dhe zbatimin e plotë të acquis të BE-së në fushën e shërbimeve financiare. Shqipëria mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve në kuadrin e acquis të BE-së, duke garantuar gatishmëri të vazhdueshme për të ndërmarrë përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi në BE.