AMF trajnime të avancuara për stafin dhe për strukturat e shoqërive të sigurimeve për Solvency II, me mbështetjen e SECO dhe Bankës Botërore
Në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të sigurimeve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka thelluar programin e trajnimeve për stafin e tij dhe për shoqëritë e sigurimit, lidhur me Solvency II.
Ky proces zhvillohet në kuadër të projektit të Bankës Botërore për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin financiar të Shqipërisë, i mbështetur nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Cështjet Ekonomike (SECO), ndërsa trajnimet po zhvillohen nga ekspertë të “Prime Re Solution” kompani prestigjioze zviceriane në fushën aktuaristike.
Ekspertët kanë prezantuar rezultatet e ushtrimit të parë të Vlerësimit të Ndikimit Sasior, një ushtrim gjithëpërfshirës që për herë të parë teston në praktikë efektet e Solvency II mbi tregun shqiptar. Studimi përfshin shoqëritë e sigurimit dhe synon të vlerësojë cilësinë e të dhënave, kapitalin e disponueshëm dhe kërkesat për kapital në kushte reale tregu.
Programi i asistencës për zbatimin e Solvency II po zhvillohet në pesë faza kryesore, duke ndjekur një qasje graduale për ndërtimin e kapaciteteve dhe përafrimin me standardet evropiane. Faza e parë u fokusua në formulën standarde dhe metodologjitë e provigjonimit për produktet e jetës, ndërsa faza e dytë në implementimin e formateve sasiore të raportimit (QRT).
Aktualisht, programi po përmbyll fazën e tretë, Studimin e Ndikimit Sasior (QIS), me qëllim vlerësimin e efektit të regjimit Solvency II mbi kapitalin dhe profilin e rrezikut të shoqërive të sigurimit. Gjithashtu, po zhvillohen trajnimet e parashikuara në fazën e katërt që adresojnë zhvillimin e modeleve të brendshme, si alternativë ndaj formulës standarde dhe përdorimin e tyre në praktikë. Faza e pestë dhe përfundimtare do të përqendrohet tek ORSA (Own Risk and Solvency Assessment), që synon thellimin e njohurive teknike për përgatitjen e raporteve efektive të vetëvlerësimit të rrezikut dhe kapitalit nga shoqëritë e sigurimit.
Shqip
English