3 Prill 2026

AMF zhvillon takim me përfaqësuesit e SECO-s mbi prioritetet strategjike dhe bashkëpunimin e mëtejshëm

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) patën sot një takim me fokus bashkëpunimin për reformat integruese dhe forcimin e mbikëqyrjes në sektorin financiar jobankar në Shqipëri.
Takimi u zhvillua mes Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit, znj. Adela Xhemali dhe z. Aurèle Cotton, Program Manager në Divizionin e Mbështetjes Makroekonomike të SECO, ku morën pjesë edhe z. Philipp Arnold, Zëvendës shef i Misionit në Ambasadën Zvicerane në Tiranë, znj. Sigita Stafa, oficere kombëtare programi për zhvillimin Ekonomik në Ambasadën Zvicerane dhe znj, Merita Gurabardhi, Nëndrejtore Ekzekutive e AMF-së. 

Gjatë takimit me përfaqësuesit e SECO-s, Znj. Xhemali vlerësoi mbështetjen e çmuar që SECO i ka dhënë Autoritetit ndër vite, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale, modernizimit të mbikëqyrjes dhe përafrimit me standardet europiane.
 
Gjatë takimit u diskutua mbi vijimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërinstitucional, në përputhje me prioritetet e Programit Zviceran të Bashkëpunimit në Shqipëri 2026–2028. Në këtë kuadër, u evidentua përputhshmëria e prioriteteve të AMF me shtyllat kryesore të programit, veçanërisht qeverisja gjithëpërfshirëse, zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Gjithashtu, u theksua rëndësia e çështjeve ndërsektoriale, me fokus tek mirëqeverisja dhe digjitalizimi.
 
Si një shembull konkret i rezultateve të këtij partneriteti, u evidentua projekti i financuar nga SECO dhe i zbatuar nga Banka Botërore për ushtrimin e Vlerësimit Sasior (QIS) në kuadër të Solvency II, i cili ka kontribuar në avancimin e kuadrit mbikëqyrës të tregut të sigurimeve.
 
Në thelb, takimi trajtoi procesin e integrimit europian dhe piketat kyçe përmbyllëse të AMF në këtë drejtim, si edhe mundësitë për një rol të mëtejshëm mbështetës të SECO përmes asistencës teknike dhe bashkëpunimit institucional, në përputhje me prioritetet e strategjisë së saj.
 
Znj. Xhemali shprehu gatishmërinë për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim në funksion të objektivave të përbashkëta për një sektor financiar më të qëndrueshëm, modern dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.