20 vjet AMF – Koha për një etapë të re drejt Shqipërisë evropiane 2030
Në 20-vjetorin e krijimit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e nisi vitin 2026 si një etapë të rëndësishme në rrugëtimin drejt vizionit “Shqipëria 2030”. Workshop-i i zhvilluar me drejtuesit dhe stafin, lidhi fazën e ardhshme të zhvillimit me integrimin evropian, modernizimin rregullator dhe forcimin e rolit të institucionit në mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare. Përvjetori u trajtua jo thjesht si moment reflektimi, por si një mundësi për të kthyer përvojën e dy dekadave në kapacitete më të avancuara institucionale dhe mbikëqyrëse.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive, znj. Adela Xhemali, theksoi se viti 2026 përbën një moment të rëndësishëm për Autoritetin, në funksion të modernizimit institucional, përshpejtimit të përafrimit rregullator me Bashkimin Evropian dhe konsolidimit të një vizioni afatgjatë në përputhje me Shqipëria 2030. Ajo nënvizoi se procesi i integrimit evropian duhet parë jo vetëm si një sfidë, por si një mundësi konkrete për të ndërtuar institucione më të forta, më profesionale dhe më të orientuara drejt së ardhmes.
Diskutimet u përqendruan te reformat si një proces i unifikuar, ku integrimi me standardet e Bashkimit Evropian, mbikëqyrja me bazë risku, digjitalizimi dhe transparenca ndaj publikut, mbrojtja e konsumatorit trajtohen si pjesë të së njëjtës agjendë. U theksua se modernizimi institucional kërkon jo vetëm rregulla të reja, por edhe forcim të kapaciteteve profesionale, përmirësim të koordinimit të brendshëm dhe orientim më të qartë drejt rezultateve
Integrimi evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, ku Autoriteti ka rol kryesues ishte qendër e diskutimeve me fokus tek harmonizimi me acquis të BE-së. Në sektorin e sigurimeve, vëmendja u përqendrua tek Solvency II, IFRS 17 dhe rregulloret mbi faktorët e riskut, me synim rritjen e transparencës, qëndrueshmërisë financiare dhe standardeve të mbikëqyrjes.

Shqip
English