22 Prill 2026
AMF dhe Grupi Intesa Sanpaolo diskutojnë mundësitë e reja për zhvillimin e tregut financiar shqiptar
Produktet e avancuara financiare dhe mundësitë e reja për zhvillimin e tregut shqiptar ishin në fokus të takimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me përfaqësues të Intesa Sanpaolo Bank Albania, Intesa Sanpaolo Group, Eurizon Asset Management dhe IMI Corporate & Investment Banking.
Diskutimi u përqendrua në mundësitë e zgjerimit të gamës të instrumenteve financiare të disponueshme për investitorët shqiptarë.
Një tjetër bosht i diskutimit ishte edukimi financiar, i konsideruar thelbësor për të garantuar një përdorim të përgjegjshëm të instrumenteve më të avancuara dhe për të mbështetur një pjesëmarrje më të informuar në treg.
Takimi u zhvillua në kuadër të një shkëmbimi teknik konstruktiv, me synim paraqitjen e përvojës ndërkombëtare dhe rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë mbi kategoritë e produkteve në shqyrtim.
Në fjalën e saj në hapje të takimit, znj. Adela Xhemali, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, vlerësoi rëndësinë e këtij diskutimi, i cili, theksoi ajo, vjen në një moment kyç për zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.
"Megjithëse tregu i kapitalit mbetet në fazë zhvillimi, trendi rritës mbetet inkurajues. Rritja e kompleksitetit të produkteve kërkon standarde më të larta të menaxhimit, transparencës dhe mbrojtjes së investitorit. Në këtë kuadër, Autoriteti do të vazhdojë të mbështesë inovacionin dhe ekspertizën ndërkombëtare në treg, duke siguruar njëkohësisht respektimin e plotë të kuadrit rregullator. Në linjë me procesin e integrimit në BE, do të vijojmë të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët e tregut për të ndërtuar një treg kapitali më të zhvilluar, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm në Shqipëri", theksoi znj.Xhemali.
Shqip
English