25 Shtator 2008

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Gusht 2008

Në periudhën Janar - Gusht 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 448,665 duke shënuar një rritje prej rreth 22.69% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 4,569 milionë lekë, shifër kjo 13.44 % më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92.65 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7.35 %. 

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 58.54% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 1,817 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 4.96% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 7.86% të numrit të kontratave.
  • Në periudhën Janar - Gusht  2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 622 milionë lekë, ose 13.56% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 10.89 % krahasuar me të njejtën periudhë.
  • Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 40.40% në krahasim me Janar - Gusht 2007. Në të njejtën kohë numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 11.15%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 235 milionë lekë. Efekti vjen nga ulja e tarifave të shitjes  të këtij lloj sigurimi sipas Urdhërit Nr.70 datë  20.07.2007 të Ministrit të Financave.
Sigurimi vullnetar

Në Janar - Gusht 2008,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 1,894 milionë lekë me një rritje prej 41.46% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 44.11% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 41.45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,041 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 41.83%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 38.24% dhe sigurimi i garancisë me 11.38%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 31.51% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 16.70% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me  marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 38.24% të sigurimeve të pronës, përgjësive dhe garancive, me një rritje prej rreth 64.48% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë patën një rritje prej 63.44% në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave rritja ështe 38.35%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 8-mujorin e vitit 2008 arritën në rreth 199 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 50.42% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 70.57% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet me numrin në rritje të personave që udhëtojnë jashtë vendit.
Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 336 milionë lekë me një rritje prej 32.73% krahasuar me Janar - Gusht 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 71.30% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në tetëmujorin e vitit  2008 ishte rreth 907 milionë lekë, ose 2.53% më pak se në Janar - Gusht të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 22.37% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 29.62% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2007.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 739 milionë lekë, apo 81.48% të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2007

2008

                                                              Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

83

93

Karton Jeshil

721

797

Kasko

81

89

 

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar - Gusht 2008 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - gusht 2008 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - gusht 2008 (në versionin PDF) klikoni këtu