11 Korrik 2014

Zhvillohet takimi i rregullt ndërmjet AMF dhe FMA për mbikëqyrjen e grupeve austriake në Shqipëri

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes së Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA), një delegacion nga ky institucion, i kryesuar nga Z. Peter Braumüller, zhvilloi një takim pune në datën 11 korrik 2014, pranë zyrave të AMF-së me znj. Enkeleda Shehi, kryetare e AMF-së. Z. Braumüller është drejtor i institucionit homolog austriak për Mbikëqyrjen e Tregut të Sigurimeve dhe njëkohësisht anëtar i Bordit të EIOPA (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale) dhe Kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime.

Bashkëpunimi me FMA-në e Austrisë tashmë është i konsoliduar, gjë që është materializuar me takime të shpeshta të drejtuesve të lartë të institucioneve si dhe stafeve teknike. Prej vitit 2009, të dy institucionet kanë një marrëveshje mirëkuptimi, e lidhur menjëherë pas investimeve të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri. Mbi këtë bazë janë ndërtuar marrëdhënie tepër efikase ndërmjet dy institucioneve, duke u konkretizuar me shkëmbim përvoje dhe punë të përbashkët në mbikëqyrjen e grupeve austriake që operojnë në Shqipëri. Me ftesë të FMA, AMF është tashmë pjesëmarrëse e rregullt e kolegjeve mbikëqyrëse për këto grupe.

Në takimin e sotëm u diskutuan çështje të rëndësishme, që lidhen me zhvillimet e fundit të vlerësimit të sistemit financiar në juridiksionet respektive (FSAP), ndryshimeve strukturore të të dy autoriteteve rregullatore, zhvillimet ligjore e të mbikëqyrjes së grupeve, si dhe fushat më imediate të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Po kështu, u diskutuan çështje të përbashkëta për mbikëqyrjen e grupeve austriake të sigurimeve, të cilat kanë prezencë dominuese në tregun shqiptar të sigurimeve, proces ky që koordinohet tashmë në nivel rajonal nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Tregjeve Financiare të Austrisë.

Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]