21 Prill 2026

AMF zhvillon takim konsultues me tregun e sigurimeve për draftligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”

Më 21 prill 2026, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një takim me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë, nëpërmjet përfaqësuesve të shoqërive të sigurimit të jo-jetës, në kuadër të prezantimit të draftit të parë të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Gjatë takimit, Znj. Gurabardhi Nëndrejtore Ekzekutive e Autoritetit e shoqëruar nga ekipi i ngarkuar për hartimin e projektligjit, paraqiti objektivat kryesore të nismës ligjore.

Ky projektligj synon përafrimin e plotë të kuadrit ligjor vendas me direktivën e Bashkimit Evropian “Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta nga mjeti motorik” (Motor Third-Party Liability Directive), forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe krijimin e një baze më të plotë, të qartë dhe të zbatueshme për tregun e sigurimit të detyrueshëm në sektorin motorik.

Shoqata e Siguruesve vlerësoi rëndësinë e këtij procesi konsultues dhe shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë aktivisht në vijimin e diskutimeve, duke paraqitur komentet dhe qëndrimet e tyre mbi projektligjin.
 
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord që takimet teknike do të vijojnë gjatë muajit maj, në funksion të thellimit të diskutimeve mbi çështjet e evidentuara dhe adresimit të aspekteve teknike e rregullatore që kërkojnë harmonizim të mëtejshëm. Ky proces konsultimi do t’i paraprijë fazës së konsultimit publik, si edhe procedurave të mëtejshme institucionale për miratimin e këtij projektligji.
 

Forum Euromoney