AMF në Startup Forum: Kuadri i ri rregullator do të mundësojë rritjen e financimit të startup-eve dhe kapitalit sipërmarrës në Shqipëri
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po avancon nismat për modernizimin e tregjeve financiare dhe përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian, përmes një kuadri të ri rregullator që synon të nxisë zhvillimin e fondeve të kapitalit sipërmarrës dhe financimin e startup-eve në Shqipëri.
Këto reforma, u prezantuan në “Startup Forum”, organizuar nga Programi EU4Innovation, Ambasada e Suedisë në Shqipëri, Sweden–Albania dhe Agjencia Startup Albania.
Në diskutimet e panelit me temë “Peizazhi i Financimit përmes Venture Capital në Shqipëri”, z. Aldion Baze, Drejtor i Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregjeve DLT të Autoritetit, prezantoi një panoramë të sistemit financiar shqiptar dhe trajtoi rolin e kuadrit ligjor e rregullator në mbështetjen e kapitalit sipërmarrës, financimit të startup-eve, inovacionit dhe forcimit të besimit të investitorëve.
Ai nënvizoi se AMF po punon për hartimin e një ligji të posaçëm për menaxherët e fondeve alternative të investimit, në përputhje me parimet e AIFMD (Alternative Investment Fund Managers Directive), direktivë që përcakton standarde për autorizimin, transparencën, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e riskut për fondet alternative të investimit. Po shqyrtohen gjithashtu struktura të ngjashme me European Venture Capital Funds – EuVECA, të cilat synojnë të lehtësojnë krijimin e fondeve më të vogla të orientuara drejt financimit të startup-eve dhe ndërmarrjeve inovative me potencial rritjeje.
Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e zhvillimit të kuadrove rregullatore proporcionale dhe mbështetëse ndaj inovacionit, përfshirë mekanizmat e financimit kolektiv, strukturat e tregjeve të rritjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe mjedisin testues rregullator, të parashikuar në kuadër të legjislacionit të ri.
Autoriteti rikonfirmon angazhimin për të mbështetur zhvillimin e një ekosistemi financiar modern, transparent dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, i cili lehtëson investimet, forcon besimin në treg dhe mbështet startup-et, inovacionin dhe rritjen ekonomike të orientuar nga teknologjia.
Shqip
English