12 Maj 2026

AMF takim me Këshilltaren e Lartë të Zyrës së Asistencës Teknike në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, Paula Jones - Siguria kibernetike dhe mbikëqyrja me bazë rrezikun, në fokus

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Adela Xhemali, së bashku me përfaqësues të Autoritetit, zhvilloi një takim online me znj. Paula Jones, Këshilltare e Lartë pranë Zyrës së Asistencës Teknike në Departamentin e Thesarit të SHBA-së (OTA), e cila ka një eksperiencë të gjerë në reformimin e sektorit financiar, mbikëqyrjen bankare dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua bashkëpunimit me OTA-n në fushën e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë operacionale. Përfaqësuesit e Autoritetit prezantuan progresin e arritur në kuadër të asistencës teknike, përfshirë analizën për transpozimin e ligjeve dhe Rregulloreve, hartimin e Manualit të Sigurisë Kibernetike, zhvillimin e metodologjive proporcionale të mbikëqyrjes dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit.

Takimi trajtoi gjithashtu angazhimin për përmirësimin e politikave dhe procedurave të teknologjisë së informacionit, duke përfshirë sigurinë IT, mbrojtjen e të dhënave dhe rritjen e kulturës institucionale të sigurisë kibernetike.

Autoriteti vlerësoi mbështetjen e Departamentin e Thesarit të SHBA-së lidhur me edukimin financiar dhe sjelljen e konsumatorit. Në këtë kuadër janë zhvilluar takime me stafin e AMF-së, përfaqësues të tregut të sigurimeve, shoqatave profesioniste të sigurimeve dhe bankave, të institucioneve qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile, etj.

Në kuadër të vijimit të bashkëpunimit teknik me OTA-n, Autoriteti identifikoi si prioritete zhvillimin e një metodologjie për vlerësimin e riskut të sigurisë së informacionit, krijimin e një regjistri risku dhe hartimin e një politike për monitorimin dhe kontrollin e aktiviteteve në sistemet informatike.

Bashkëpunimi teknik ndërmjet Autoritetit dhe OTA-s, ka synim modernizimin e mbikëqyrjes financiare dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare, përafrimin e kornizës ligjore financiare me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në funksion të stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje.
 

Forum Euromoney