18 Maj 2026

Shqipëria merr pjesë në Takimin e 25 të CESEE ISI në Varshavë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i përfaqësuar nga Merita Gurabardhi, Aranit Muja dhe Lusjana Lloji, mori pjesë në Takimin e 25 të Nismës së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE ISI), zhvilluar më 11–12 maj 2026 në Varshavë, Poloni.

Takimi mblodhi së bashku autoritetet mbikëqyrëse nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, me qëllim shkëmbimin e përvojave mbi çështje kyçe të mbikëqyrjes, përfshirë rrezikun nga katastrofat dhe ndryshimet klimatike, hendekun e mbrojtjes nga sigurimet, sistemet e pensioneve suplementare, rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sektorin e sigurimeve, si dhe praktikat e risigurimit.

Kjo pjesëmarrje mbështet procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht përafrimin e mbikëqyrjes së sigurimeve, mbikëqyrjes së pensioneve dhe mbrojtjes së konsumatorëve me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Shkëmbimi i përvojave rajonale kontribuon në forcimin e kuadrit të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar në Shqipëri dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së tregut.

Me rastin e daljes në pension të z.Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv për Mbikëqyrjen e Sigurimeve dhe Pensioneve pranë Autoritetit Austriak të Tregjeve Financiare (FMA), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shpreh mirënjohjen e tij të sinqertë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në CESEE ISI, si një nga themeluesit, zhvilluesit dhe ambasador i rajonit tonë. Përkushtimi i tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse të sigurimeve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Duke ndjekur rrugën e tij, AMF është e bindur se kjo nismë do të vijojë të zhvillohet, duke promovuar dialogun, shkëmbimin e ekspertizës dhe bashkëpunimin mbikëqyrës edhe në vitet në vijim.