4 Mars 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi seminarin për industrinë e sigurimeve me temë “Sigurimi i përgjegjësisë profesionale”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në bashkëpunim me  Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Sllovenisë organizoi në datën 3 mars 2016 seminarin me temë “Sigurimi i Përgjegjësisë Profesionale”.  Ky seminar u zhvillua edhe në kuadër të mbështetjes për Qendrën e Edukimit të ngritur pranë AMF-së.

Ekipi nga Sllovenia kryesohej nga Z. Sergej Simoniti, President i Këshillit të Ekspertëve njëkohësisht Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Sllovenisë dhe lektorë ishin Z. Igor Corossi, përfaqësues i Assicurazioni Generali S.p.A. dega Angli dhe Z. Gorazd Jenko, përfaqësues i TRIGLAV Insurance Company Ltd, Slloveni.

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, gjatë fjalës së saj përshëndetëse, vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy rregullatorëve për të rritur kapacitetet e brendshme të AMF-së që të jenë në gjendje të trajtojnë me efektshmëri çështje komplekse për t’iu përshtatur zhvillimit të tregut të sigurimeve, por gjithashtu, në rritjen e kapaciteteve profesionale te drejtuesve dhe profesionisteve të tregut, për të kuptuar më mirë se si funksionon sigurimi i përgjegjësisë për t’u siguruar që institucionet financiare që AMF mbikëqyr dhe rregullon të operojnë në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme për të përmirësuar funksionimin e tregut të sigurimeve dhe si rrjedhojë ofruar shërbime me cilësi të lartë për konsumatorët.

Disa nga temat kryesore që u trajtuan në seminar lidheshin me:

  • Bazat e sigurimit të përgjegjësisë;
  • Llojet e mbulimit;
  • Zhvillimi i produkteve dhe vendosja e çmimeve;
  • Aspektet ndërkombëtare;
  • Risigurimi i Përgjegjësisë Profesionale.
Qëllimi i seminarit ishte përfitimi sa më shumë nga eksperienca Sllovene dhe ajo ndërkombëtare për sa i përket sigurimit të përgjegjësisë në përgjithësi dhe asaj profesionale në veçanti. Pjesëmarrësit kuptuan se cilat janë produktet potenciale të cilat mund të zhvillohen në tregun vendas duke pasur parasysh ekspozimet nga risqet e ndryshme në tregjet më të zhvilluara dhe çfarë mund të përmirësojnë me qëllim që t’i shërbejnë konsumatorëve më mirë.

Për më shumë informacione lidhur me këtë trajnim kontaktoni [email protected]

Për të lexuar fjalën përshëndetëse të Drejtores së Përgjithshme Ekzekutive klikoni këtu.

Për të aksesuar materialet e seminarit klikoni këtu.