24 Mars 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetjen e Bankës Botërore, organizoi seancat informuese mbi mundësitë e zgjerimit të sistemit të pensioneve vullnetare në Shqipëri

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me mbështetjen e Bankës Botërore zhvilloi në Tiranë, në datën 16 dhe 18 mars 2016 seanca informuese mbi mundësitë e zgjerimit të sistemit të pensioneve vullnetare në Shqipëri.

Pjesëmarrës në këto seanca informimi ishin punëdhënës nga kompanitë e ndryshme private që veprojnë në Shqipëri dhe grupe profesionistësh, të cilët mund të jenë pjesëmarrës në këto skema të pensioneve vullnetare. Gjatë seancave të informimit eksperti i Bankës Botërore, z. Leendert van Driel prezantoi mënyrën e funksionimit të sistemit të pensioneve dhe përparësitë që ofron pjesëmarrja në skemat e pensioneve private vullnetare. Në takim u paraqitën informacionet dhe mundësitë që ofrojnë me skemat e tyre edhe drejtuesit e të tri shoqërive administruese të fondeve të pensionit që veprojnë në Shqipëri, Raiffeisen Invest, Shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive sh.a., Shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit Sigal-Life, Uniqa Group Austria sh.a. dhe Shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit SiCred sh.a. Drejtuesja e Burimeve Njerëzore të kompanisë Vodafon Albania, një kompani e cila i ka të përfshirë punonjësit e saj në skemat e pensioneve vullnetare, pasqyroi eksperiencat e kësaj kompanie, komunikimin dhe marrëdhëniet e ndërtuara me punonjësit pjesëmarrës në fondet vullnetare të pensioneve. Ekspertët e AMF-së prezantuan edhe lehtësirat ligjore, sidomos ato lidhur me sistemin e taksimit, që kanë hyrë në fuqi në fillim të vitit 2015 si edhe ndryshimet ligjore që AMF po propozon për të krijuar sa më shumë lehtësi për punonjësit pjesëmarrës në skemat e pensioneve private. Pjesëmarrësit në seancat e informimit bënë pyetje dhe kërkuan informacione të ndryshme lidhur me mundësitë që ofrojnë këto skema të pensioneve private vullnetare.

Po në kuadër të këtij projekti, AMF organizoi takim informues edhe me gazetarë të mediave të shkruara dhe vizive që mbulojnë lajmet ekonomike. Synimi i këtij takimi ishte informimi më i gjerë dhe dhënia e disa praktikave më të mira në mbulimin e lajmeve për sistemin e pensioneve vullnetare krahasuar edhe me raportime të vendeve të tjera evropiane.

Këto seanca informimi ishin pjesë e një projekti më të gjerë që po zbatohet nga AMF në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative), i cili krahas zgjerimit synon edhe asistencën teknike për mbikëqyrjen efektive të tregut të pensioneve vullnetare private në vend.

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]