25 Prill 2016

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2016

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2016 kapën vlerën mbi 2,939 milionë lekë, ose 2.70% më pak se në periudhën janar-mars 2015. Gjatë periudhës janar-mars 2016, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 222,422 me një ulje prej 1.29% krahasuar me periudhën janar-mars 2015. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.40% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.97% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.63%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 37.33% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 62.67% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-mars 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 805 milionë lekë, ose 14.10% më shumë se periudhën janar-mars 2015.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, në periudhën janar-mars 2016 arritën rreth 1,830 milionë lekë, ose 2.19% më shumë se në periudhën janar-mars 2015.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars 2016, pati një ulje prej 0.60% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 0.29% krahasuar me periudhën janar-mars 2015.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-mars 2016 pati një ulje prej 4.68% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 0.68% krahasuar me periudhën janar-mars 2015.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-mars 2016, pati një rritje me 17.79% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 21.23%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-mars 2016 arritën mbi 1,090 milionë lekë, 11.33% më pak se në periudhën janar-mars 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 6.18% krahasuar me periudhën janar-mars 2015.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës në periudhën janar-mars 2016, patën ulje me 11.75% kundrejt periudhës janar-mars 2015.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë periudhës janar-mars 2016 u siguruan mbi 440 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 61.21%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24.13% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2016, vihet re një ulje prej 40.80% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 35.22% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2015.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2016, arritën në rreth 280 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 4.24% në krahasim me periudhën janar-mars 2015.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2016, arritën rreth 204 milionë lekë, ose 9.46% më pak se në periudhën janar-mars  2015.

 

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2016 u rritën me 14.10% krahasuar me periudhën janar-mars 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 560 milionë lekë, apo 69.51% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

 Në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar-mars

Ndryshimi

 2015

2016

(në %)

                                 Dëmi mesatar

 

MTPL e brendshme

205

201

(1.61)

Karton Jeshil

518

647

24.95

Kasko

73

87

18.61

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-mars 2016, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar - mars 2016 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.