7 Korrik 2016

Zhvillohet takimi i përvitshëm midis autoriteteve mbikëqyrëse të Shqipërisë dhe të Austrisë, AMF dhe FMA, për mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve

Në vijim të bashkëpunimit për çështjet e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve dhe fondeve te pensioneve private ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA), një delegacion nga ky institucion zhvilloi takime pune në Tiranë në datat 5-7 korrik 2016. Delegacioni kryesohej nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, përgjegjës për mbikëqyrjen e shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensionit.

Z. Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, pati takime pune me Znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive dhe ekspertë të AMF-së. Gjatë takimeve u diskutua për çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët. Ndërmjet të tjerash, takimet u përqendruan në zhvillimet kryesore në tregjet e sigurimeve të Austrisë dhe Shqipërisë dhe rezultatet paraprake për shoqëritë e sigurimeve me kapital austriak të pranishme në Shqipëri; zhvillimet ligjore, duke përfshirë edhe zhvillimin e mbikëqyrjes së grupeve, fillimin e mbikëqyrjes me fokus risku që AMF ka filluar që prej vitit 2015, si edhe çështje të tjera. Në takim u diskutua edhe për hapat e mëtejshme të bashkëpunimit midis AMF dhe FMA si dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në kolegjet mbikëqyrëse, të cilat ndihmojnë në konkretizimin e shkëmbimit të përvojës dhe punën e përbashkët në tregjet në mbikëqyrje.

Të dy institucionet kanë, që prej vitit 2009, një marrëveshje bashkëpunimi, e lidhur menjëherë pas investimeve të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri, në kuadër të së cilës zhvillojnë takime periodike dypalëshe.

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]