16 Shkurt 2017

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizon takim informues me median me fokus tregun e sigurimeve në Shqipëri

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi në datën 15 shkurt 2017, një takim informues me gazetarë të mediave të shkruara dhe vizive që mbulojnë lajmet ekonomike.

Ky takim i hapur është pjesë e një iniciative më të gjerë informative dhe edukative që po ndiqet nga AMF në kuadër të rritjes së transparencës dhe njohurive financiare rreth tregjeve në mbikëqyrje. Fokusi i takimit të parë të kësaj iniciative ishte tregu i sigurimeve.

Gjatë prezantimit të saj Znj. Erda Cani, Drejtore e Departamentit të Zhvillimeve Strategjike, TI dhe Statistikës u përqendrua në informimin për rolin, strukturën dhe funksionimin e AMF-së. Një aspekt mjaft i rëndësishëm ishte informimi në lidhje me projektet e asistencës teknike të ndjekura nga AMF, bashkëpunimi institucional në rang kombëtar dhe ndërkombëtar duke informuar gazetarët që AMF është tashmë pjesëmarrëse e kolegjeve mbikëqyrëse të grupeve të sigurimit që kanë aktivitet në vend. Gjithashtu, u njohën edhe me rregulloren për Komunikimin me Median dhe Publikun, publikimet dhe funksionin e faqes së internetit.

Z. Artur Ribaj, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes Financiare bëri një prezantim të detajuar të ecurisë dhe treguesve statistikorë të tregut të sigurimeve në Shqipëri. Z. Ribaj theksoi se AMF ka filluar zbatimin e metodologjisë së mbikëqyrjes me bazë rreziku dhe shpjegoi rolin e kësaj metodologjie për një mbikëqyrje efektive.

Në prezantimet e tyre, ata informuan gazetarët për iniciativat për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit lidhur me tregun e sigurimeve në vend, me përgatitjen e ndryshimeve të reja ligjore për sigurimet e detyrueshme. Gjithashtu u theksua fakti që synimi i AMF-së është zbatimi i kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi, me qëllim ruajtjen e shëndetit financiar të shoqërive në tregjet në mbikëqyrje, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të tyre në funksion të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.

Gjatë seancës informuese u theksua se marrëdhënia e konsumatorit me shoqëritë e sigurimit është një marrëdhënie afatgjatë, e cila nuk duhet kufizuar vetëm tek sigurimet e detyrueshme, por duhet që vëmendja e qytetarëve të kthehet edhe drejt sigurimeve vullnetare dhe në këtë drejtim mediat kanë një rol mjaft të rëndësishëm.

Në përfundim të prezantimeve, gazetarët drejtuan edhe disa pyetje konkrete, që lidheshin me çështje si ecuria e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore.

Për më shumë informacione kontaktoni [email protected]