19 Prill 2017

Mbi Zhvillimin e Mbledhjes së Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF)

Në datën 18 prill 2017 u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje merrnin pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Në mbledhje u prezantua vlerësimi mbi ecurinë financiare të sistemit bankar. Nisur nga nevoja për forcimin e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar dhe për të konfirmuar angazhimin institucional në këtë proces sipas fushave përkatëse të veprimit, në mbledhje u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi midis drejtuesve të lartë të Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Synimi i memorandumit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional është të krijojë kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht por në mënyrë të qëndrueshme në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe fuqizimin e monedhës kombëtare, në përputhje me qëllimin e forcimit të efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Për të lexuar tekstin e plotë të njoftimit të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, klikoni këtu.

Teksti i plotë i Memorandumit të Bashkëpunimit gjendet duke klikuar këtu.