13 Shtator 2017

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së takim me përfaqësues të lartë të SECO-s

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi zhvilloi më 13 shtator 2017 një takim me përfaqësues të lartë të Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO). Në takimin e zhvilluar me Ambasadorin Raymund Furrer, Drejtor i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Konfederatës Zviceriane në Tiranë, Z. Christoph Graf dhe përfaqësues të tjerë të SECO-s në Shqipëri, u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria Zvicerane i ka dhënë Shqipërisë, e në veçanti Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nëpërmjet financimit të projekteve strategjike.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së falenderoi përfaqësuesit e lartë të SECO-s për ndihmën e dhënë me projektin aktual për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së me fokus zhvillimin e tregut të kapitaleve. Z. Koçi vuri në dukje rëndësinë që ka ky projekt jo vetëm për Autoritetin, por edhe për investitorët  dhe  ekonominë  e vendit.

“Projekti i financuar nga SECO, merr rëndësi të veçantë në kuadër të zhvillimeve të shpejta dhe dinamikës së lartë të zgjerimit që ka përjetuar Industria e fondeve të investimit, duke u klasifikuar si tregu i dytë më i rëndësishëm pas tregut bankar. Vlera neto e aseteve të fondeve të investimit është rreth 5 % e GDP-së, më e larta ndër vendet e Evropës Juglindore. Me mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe po jep për Autoritetin, SECO është një bashkëpunëtor i rëndësishëm në misionin tonë për mbikëqyrjen e tregjeve, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit,” u shpreh Z. Koçi.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i shprehu përfaqësuesve të lartë të SECO-s gadishmërinë e Autoritetit për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të projektit, edhe pas përfundimit të tij. Ndërsa Ambasadori Furrer shprehu gjithë mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike në projektin e nisur për forcimin e kapaciteteve të AMF-së dhe vlerësoi rolin e Autoritetit në monitorimin dhe rregullimin e tregjeve nën mbikëqyrje.

Z. Furrer u informua në lidhje me sfidat me të cilat përballet AMF në mbikëqyrjen e tregjeve, ndryshimet e fundit strukturore në Autoritet që kanë si qëllim kryesor rritjen e efiçencës dhe mbrojtjen e konsumatorit, si edhe punën e nisur nga Autoriteti, me ngritjen e një Komiteti Këshillimor, për hartimin e strategjisë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve dhe mbikëqyrjen e tyre.