25 Nentor 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-tetor 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2014 kapën vlerën 9,505 milionë lekë, ose 43.55% më shumë se në periudhën janar-tetor 2013. Gjatë periudhës janar-tetor 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 844,583 me një rritje prej 1.59% krahasuar me periudhën janar-tetor të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.78% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.29%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.21% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-tetor 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,209  milionë lekë, ose 0.13% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-tetor 2014 arritën rreth 5,612 milionë lekë, ose rreth 84.85% më shumë se periudha janar-tetor 2013.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-tetor 2014, pati një rritje prej 95.95% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të  kontratave prej 4.97% krahasuar me periudhën janar-tetor 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-tetor 2014 pati një rritje prej 63.93% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 1.03% krahasuar me periudhën janar-tetor 2013.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-tetor 2014, pati një rritje me 57.19% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-tetor 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 5.65%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-tetor 2014 arritën rreth 3,866 milionë lekë, ose 8.43% më shumë se në periudhën janar-tetor 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.74% krahasuar me periudhën janar-tetor të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2014, patën rritje me 8.37%  kundrejt periudhës janar-tetor 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2014 siguruan rreth 1,887 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 70.19%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 17.61% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2014, vihet re një rritje prej 15.35% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor të viti 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-tetor 2014, arritën në rreth 679 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 20.98% në krahasim me periudhën janar-tetor 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2014, arritën rreth 835 milionë lekë, ose 8.64% më shumë se në periudhën janar-tetor të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-tetor 2014 u ulën me 0.13% krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,836 milionë lekë, apo 83.12% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-tetor 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-tetor 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.