6 Mars 2018

AMF organizon për herë të parë në Shqipëri “Forumin Global 2019” të IOPS-it

Shqipëria do të organizojë për herë të parë Forumin Global 2019 të Organizatës Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Pensioneve (IOPS). Vendimi është marrë në mbledhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të IOPS-it në 22 shkurt 2018 në Dublin, Irlandë dhe i është bërë i ditur zyrtarisht Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në fillim të këtij muaji.

Organizimi i një forumi financiar të këtyre përmasave është një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë, që deri tani ishte përfaqësuar në mbledhjet dhe takimet e Organizatës, por pa mundur të sjellë në Tiranë një aktivitetet kaq të rëndësishëm. Në të parashikohet të marrin pjesë drejtues të lartë të institucioneve financiare dhe autoriteteve rregullatore nga 76 vendet anëtare të IOPS-it.

Forumi Global, i parashikuar të zhvillohet në Tiranë, në periudhën tetor/nëntor 2019, do të sjellë në kryeqytetin shqiptar ekspertët më të mirë nga industria e fondeve të pensioneve, institutet kërkimore, si edhe përfaqësues nga organizatat europiane dhe ndërkombëtare të specializuar në këtë fushë.

Në njoftimin zyrtar, Komiteti Ekzekutiv i IOPS-it i shpreh gjithashtu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ridimensionimin e marrëdhënieve më Organizatën gjatë vitit të fundit.

Organizata Ndërkombëtare e Rregullatorëve të Pensioneve (IOPS) është krijuar në vitin 2004 për të përfaqësuar interesat e enteve rregullatore të pensioneve private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është anëtar me të drejta të plota në IOPS që nga muaji dhjetor i vitit 2006.

Çdo vit, në periudhën e vjeshtës, organizohet në qytete të ndryshme botërore Forumi Global, ku diskutohet mbi zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat përballen rregullatorët dhe industria e fondeve të pensioneve private vullnetare. Takimi i këtij viti është planifikuar të mbahet në datat 24-26 tetor 2018, në Pekin.

Nga viti i kaluar e në vazhdim, Autoriteti ka qënë dhe mbetet shumë i angazhuar për të thelluar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, duke marrë përsipër një rol të ri proaktiv në aktivitetet e rëndësishme për tregjet financiare jobankare.

Gjatë këtij viti, me mbështetjen e Autoritetit Europian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA), AMF do të organizojë në Tiranë në datat 20-21 shtator 2018, seminarin me temë “Mbikëqyrja me fokus rrezikun”, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues nga vendet anëtare të EIOPA-s dhe ekspertë të fushës.

Gjithashtu në fillim të muajit qershor, Shqipëria do të presë për herë të parë “Takimin e Pesëmbëdhjetë të Iniciativës për Mbikëqyrjen e Sigurimeve për vendet e Evropës Juglindore, Qendrore e Lindore”. Takimi synon forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit në fushën e sigurimeve.

Aktivitete të tilla shërbejnë jo vetëm për të promovuar Shqipërinë, por edhe për të sjellë eksperiencat më të mira financiare botërore në vendin tonë, duke rritur njëkohësisht mundësitë për investime.