24 Dhjetor 2014

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-nëntor 2014

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2014 kapën vlerën  mbi 10,437 milionë lekë, ose 36.93% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2013. Gjatë periudhës janar-nëntor 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 922,761 me një rritje prej 2.57% krahasuar me periudhën janar-nëntor të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.09% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.65% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.26%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.15% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.85% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,545 milionë lekë, ose 6.43% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-nëntor 2014 arritën mbi 6,126 milionë lekë, ose 82.90% më shumë se periudha janar-nëntor 2013.

Produkti MTPL e Brendshme, në periudhën janar-nëntor 2014, pati një rritje prej 94.33% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të  kontratave prej 7.55% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2013.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-nëntor 2014 pati një rritje prej 59.85% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 0.26% krahasuar me periudhën janar-nëntor 2013.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-nëntor 2014, pati një rritje me 54.72% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-nëntor 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 3.84%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-nëntor 2014 arritën rreth 4,284 milionë lekë, ose 0.73% më shumë se në periudhën janar-nëntor 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.85% krahasuar me periudhën janar-nëntor të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2014, patën ulje me 0.58%  kundrejt periudhës janar-nëntor 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2014 siguruan mbi 2,141 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.99%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.53% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-nëntor 2014, vihet re një rritje prej 26.53% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.88% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor të viti 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-nëntor 2014, arritën në rreth 740 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 21.44% në krahasim me periudhën janar-nëntor 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2014, arritën mbi 902 milionë lekë, ose 5.95% më shumë se në periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-nëntor 2014 u rritën me 6.43% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,079 milionë lekë, apo 81.69% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-nëntor 2014, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-nëntor 2014 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.