13 Janar 2015

AMF organizon seminarin e trajnimit për industrinë e sigurimeve me temë “Administrimi i rrezikut në sigurime”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) po organizon në datat 12-16 janar 2015 seminarin e trajnimit me temë “Administrimi i rrezikut në sigurime”. Ky trajnim është në kuadër të zbatimit të metodologjisë së re të mbikëqyrjes, asaj me fokus rrezikun, e cila kërkon ngritje dhe forcim të kapaciteteve të administrimit të rrezikut. Realizimi i këtij programi trajnimi zhvillohet me mbështetjen e Korpusit Vullnetar të Shërbimeve Financiare, FSVC (Financial Services Volunteer Corps).

Në trajnim marrin pjesë stafe teknike nga të gjitha shoqëritë e sigurimit që veprojnë në tregun shqiptar dhe që në fokusin e punës së tyre të përditshme kanë mbikëqyrjen dhe administrimin e rrezikut, si dhe stafi i mbikëqyrjes i AMF-së. Programi do zhvillohet nga dy lektorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Holly Bakke dhe z. Andrew Giffin, me përvojë të gjatë në fushën  e sigurimeve.

Disa nga temat kryesore që po trajtohen në seminar lidhen me:

  • Procesin e administrimit të rrezikut (marrja në sigurime, tarifimi, administrimi i dëmeve, provigjonimi, investimet, etj);
  • Identifikimi i rrezikut në shoqëri (mënyra e administrimit, kultura e organizatës, raportimi, vlerësimi i rrezikut dhe aftësisë paguese, etj);
  • Metodologjitë e administrimit të rrezikut dhe prioritizimi;
  • Analiza SWOT për tregun e sigurimeve.

Në përfundim të programit do të synohet që secila nga shoqëritë pjesëmarrëse të ketë të hartuar një plan veprimi të veçantë rreziku në varësi të specifikave të tyre duke e bërë në këtë mënyrë programin të vlefshëm si për tregun dhe rregullatorin në sfidën e përbashkët për ndërtimin e praktikave sa më të shëndosha të administrimit të rrezikut dhe lehtësimin e tranzicionit për zbatimin e mbikëqyrjes me fokus rreziku.

Për më shumë informacione lidhur me këtë trajnim kontaktoni [email protected]