26 Maj 2026

AMF diskuton me tregun ndryshimet e pritshme në ligjin për fondet private të pensioneve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një takim me drejtues të shoqërive administruese të fondeve private të pensioneve, me fokus diskutimin e ndryshimeve të pritshme në ligjin nr. 76/2023 “Për fondet private të pensioneve”.

Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të përafrimit të plotë të kuadrit ligjor shqiptar me Direktivën Evropiane IORP II, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe të forcimit të mëtejshëm të standardeve të rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut të pensioneve private.

Në fjalën e saj hyrëse, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Adela Xhemali, theksoi rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të pensioneve private në vend.

“Përmes këtyre ndryshimeve, kuadri ligjor për fondet private të pensioneve përafrohet plotësisht me kërkesat e Direktivës IORP II dhe vendos baza më të qarta për qeverisje të mirë, administrim efektiv të rrezikut, transparencë më të lartë dhe mbrojtje më të mirë të interesave të anëtarëve. Në mënyrë të veçantë, amendimet e ligjit forcojnë kërkesat për qeverisjen e brendshme, si dhe parashikojnë një rol më të strukturuar për funksionet e administrimit të rrezikut, auditimit të brendshëm dhe, në rastet kur është e zbatueshme, funksionin aktuarial, si pjesë e një sistemi më efektiv kontrolli të brendshëm dhe administrimi të kujdesshëm të fondeve”, u shpreh znj. Xhemali.

Duke u ndalur te rëndësia e transparencës, znj. Xhemali nënvizoi se një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me rritjen e informacionit që duhet t’u vihet në dispozicion anëtarëve dhe përfituesve, duke përfshirë informacionin mbi opsionet e investimit, kostot, performancën historike, projeksionet e përfitimeve të pensionit, si dhe mënyrën se si faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes merren në konsideratë në politikën e investimit.

“Këto kërkesa synojnë forcimin e standardeve rregullatore dhe mbikëqyrëse, por edhe rritjen e besimit të publikut te fondet private të pensioneve, si një instrument Ii rëndësishëm përkursimin afatgjatë dhe për sigurinë financiare të qytetarëve”, theksoi znj. Xhemali.

Në takim, eksperti i Bankës Botërore, z. William Price, prezantoi një pasqyrë të ndryshimeve kryesore të propozuara, të cilat fokusohen kryesisht në forcimin e kërkesave për qeverisjen e brendshme, administrimin e rrezikut, rritjen e transparencës ndaj anëtarëve dhe përfituesve, si dhe përcaktimin e rregullave për veprimtarinë ndërkufitare.

Gjatë takimit u zhvilluan diskutime konstruktive me përfaqësuesit e tregut mbi ndikimin e ndryshimeve të propozuara dhe zbatimin e tyre në praktikë. Pjesëmarrësit do të paraqesin komentet përfundimtare pasi amendimet e projektligjit të jenë konsoliduar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbështetet nga Banka Botërore në këtë proces, në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria dhe Zhvillimi Financiar: Rritja e Qëndrueshmërisë Financiare dhe Aksesi në Financa të Gjelbra dhe Novatore”.

 
Forum Euromoney  
Forum Euromoney