24 Prill 2015

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2015

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2015 kapën vlerën mbi 3,021 milionë lekë, ose 14.41% më shumë se në periudhën janar-mars 2014. Gjatë periudhës janar-mars 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 225,337 me një rritje prej 10.08% krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.51% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.49%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.71% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.29% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-mars 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 706  milionë lekë, ose 18.61% më shumë se në periudhën janar-mars 2014.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2015 arritën mbi 1,791 milionë lekë, ose 34.75% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars 2015, pati një rritje prej 38.49% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 9.19% krahasuar me periudhën janar-mars 2014.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-mars 2015 pati një ulje prej 16.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 21.89% krahasuar me periudhën janar-mars 2014.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-mars 2015, pati një rritje me 32.18% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Gjithashtu u rrit edhe numri i kontratave me 20.95%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2015 arritën rreth 1,230 milionë lekë, ose 5.11% më pak se në periudhën janar-mars 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 11.62% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2015, patën ulje me 2.60% kundrejt periudhës janar-mars 2014.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2015 siguruan rreth 578 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 76.52%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 13.64% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2015, vihet re një ulje prej 16.64% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.82% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2014.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2015, arritën në rreth 269 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 57.85% në krahasim me periudhën janar-mars 2014.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2015, arritën mbi 226 milionë lekë, ose 14.83% më pak se në periudhën janar-mars të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2015 u rritën me 18.61% krahasuar me periudhën janar-mars 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 477 milionë lekë, apo 67.57% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.


Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-mars 2015, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar-mars 2015 (në versionin EXCEL), klikoni këtu.