8 Maj 2015

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nënshkroi sot,  në datë 08 maj 2015, një marrëveshje bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP). Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është rritja e bashkëpunimit nëpërmjet institucioneve në shkëmbimin e informacionit, kryerjes së inspektimeve dhe trajnimeve të përbashkëta, në funksion të luftës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ose aktiviteteve të lidhura me to, si dhe rritjen e rolit mbikëqyrës, me qëllim forcimin e sistemit parandalues në vend.

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Znj. Enkeleda Shehi, ndër të tjera theksoi se: “Sot ne po formalizojmë një bashkëpunim të nisur, dhe shumë të efektshëm, vite më parë, në drejtim të përmbushjes së standardeve Evropiane në lidhje me fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje gjithashtu përmbush një detyrim ligjor, të cituar edhe në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, i miratuar në korrik të vitit 2014, njëkohësisht institucionalizon bashkëpunimin midis dy institucioneve, si dhe i shërben rritjes së rolit mbikëqyrës, me qëllim forcimin e sistemit parandalues në vend”.

Z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, ndër të tjera tha: “Shpreh bindjen se nënshkrimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve tona përbën një hap të mëtejshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për rritjen dhe konsolidimin e nivelit të përputhshmërisë së subjekteve të ligjit, shkëmbimin e informacionit, trajnimet dhe inspektimet e përbashkëta dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Për më shumë informacion kontaktoni [email protected]