Zhvillohet takimi i përvitshëm midis AMF dhe FMA të Austrisë, për mbikëqyrjen e tregut të sigurimeve
Në vijim të bashkëpunimit për çështjet e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Tregjeve Financiare të Austrisë (FMA), një delegacion nga ky institucion zhvilloi takime në datat 19-20 maj në Tiranë. Delegacioni kryesohej nga Z. Peter Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, përgjegjës për mbikëqyrjen e shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensionit.
Z. Braumüller, Drejtor Ekzekutiv në FMA, në takimet e punës që zhvilloi me Znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, ekspertët e AMF-së, si dhe me Bordin e AMF-së diskutoi çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët. Ndërmjet të tjerash, takimet u përqendruan në zhvillimet kryesore në tregjet e sigurimeve të Austrisë dhe Shqipërisë gjatë vitit 2014, sidomos të shoqërive austriake të pranishme në Shqipëri; ndryshimet strukturore të të dy autoriteteve mbikëqyrëse; zhvillimet ligjore, përfshi mbikëqyrjen e grupeve dhe çështjet e sekretit profesional.
Prej vitit 2009, të dy institucionet kanë një marrëveshje mirëkuptimi, e lidhur menjëherë pas investimeve të grupeve austriake të sigurimeve në Shqipëri. Prej vitit 2013 AMF është pjesëmarrëse e rregullt e kolegjeve mbikëqyrëse për grupet austriake që operojnë në Shqipëri, duke konkretizuar shkëmbimin e përvojës dhe punën e përbashkët në mbikëqyrjen në sigurime.
Për më tepër informacion kontaktoni [email protected]
Shqip
English


