16 Qershor 2026

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit prezanton raportin e vitit 2025 dhe prioritetet strategjike për vitin 2026 e në vijim në Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

Fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Adela Xhemali, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor për vitin 2025 në Komisionin e për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

E nderuar zonja Kryetare e Komisionit,
Të nderuar deputetë,

Kam kënaqësinë t’ju paraqes raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2025.
Ky raportim nuk është thjesht një bilanc shifrash. Është një mundësi për të vlerësuar se sa të qëndrueshme janë tregjet financiare jobankare, sa të mbrojtur janë qytetarët që marrin shërbime në këto tregje, sa i besueshëm është kuadri ynë mbikëqyrës dhe sa pranë jemi me standardet europiane që Shqipëria synon të arrijë në rrugën e saj të integrimit.

Në thelb, përmbyllja e vitit 2025 mund të përmblidhet në katër mesazhe kryesore.
Së pari, tregjet financiare nën mbikëqyrje u rritën dhe mbetën të qëndrueshme. Në fund të vitit 2025, vlera totale e aktiveve të tregjeve nën mbikëqyrje arriti në rreth 149 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 13%. Ky është një tregues i qartë se sektori financiar jobankar po zë gradualisht një rol më të rëndësishëm në sektorin financiar të vendit.
Së dyti, veprimtaria mbikëqyrëse e Autoritetit është orientuar gjithnjë e më shumë drejt riskut, transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Synimi ynë është të nxisim jo vetëm rritjen e tregjeve, por edhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm, të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe të bazuar në parimet e transparencës, stabilitetit dhe besueshmërisë.
Së treti, viti 2025 dhe muajt e parë të vitit 2026 shënuan një avancim të rëndësishëm në përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit, veçanërisht në drejtim të Solvency II, SNRF 17, Faktorëve të Riskut në llogaritjen e primeve të TPL, digjitalizimit, tregjeve të kapitalit dhe forcimit të komunikimit publik.
Së katërti, agjenda jonë për periudhën në vijim është e qartë: përafrim me acquis të Bashkimit Europian, forcim i mbikëqyrjes prudenciale, rritje e qëndrueshmërisë digjitale, mbrojtje më e mirë e konsumatorit dhe zhvillim më i thellë i tregjeve financiare jobankare.

Të nderuar deputetë,

Përpara se të ndalem tek treguesit kryesorë të tregjeve, dëshiroj të theksoj se rekomandimet e lëna nga Kuvendi kanë qenë një pikë referimi e drejtpërdrejtë në punën e Autoritetit gjatë vitit 2025 dhe në vijim gjatë vitit 2026.

Një nga proceset më të rëndësishme është tranzicioni drejt regjimit Solvency II, i cili përbën një ndryshim themelor në mënyrën se si mbikëqyren shoqëritë e sigurimit. Ky regjim e transformon metodologjinë mbikëqyrëse të tregut të sigurimeve nga një qasje e bazuar në rregulla (rule-based) drejt një modeli të bazuar në rrezik (risk-based), kapital, qeverisje të brendshme dhe aftësi reale për të përballuar goditje financiare, në përputhje me standardet mbikëqyrëse evropiane.

Gjatë vitit 2025, AMF vijoi me zbatimin e planit shtatëvjeçar të tranzicionit drejt Solvency II dhe përmbylli fazën e parë të tij, atë të Vlerësimit të Ndikimit Sasior. Gjetjet janë diskutuar me tregun, me qëllim që shoqëritë e sigurimit të kenë kohën dhe qartësinë e nevojshme për t’u përshtatur gradualisht. Në muajin prill 2026 u përmbyll edhe cikli i trajnimeve të dedikuara për këtë proces, ndërsa në maj 2026 Autoriteti zhvilloi një takim të nivelit të lartë me drejtuesit e shoqërive të sigurimit, me fokus kryesor ndërgjegjësimin se ky tranzicion përtej dimensionit të tij teknik, përbën një prioritet strategjik me karakter gjithëpërfshirës në nivel organizativ, e si i tillë kërkon angazhim të plotë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga të gjitha organet drejtuese e vendimmarrëse të shoqërive.

Paralelisht, AMF ka vijuar monitorimin e zbatimit të SNRF 17 “Kontratat e Sigurimit”, standard i cili do të hyjë plotësisht në zbatim më 1 janar 2028. Ky standard do të sjellë më shumë transparencë në raportimin financiar të shoqërive të sigurimit dhe do të përmirësojë mënyrën se si pasqyrohen detyrimet dhe performanca reale e tyre. Gjatë vitit 2025, me asistencën e Bankës Botërore, janë zhvilluar programe trajnimi për Autoritetin dhe për tregun, teksa në vijim, fokusi do të jetë përgatitja konkrete e shoqërive, veçanërisht në nivel drejtuesish financiarë, aktuarësh dhe bordesh.

Një tjetër zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët është zbatimi i kuadrit të ri për sigurimin e detyrueshëm motorik. Nga 1 janari 2025 hyri në fuqi rregullorja që përcakton faktorët e riskut në llogaritjen e primit, ndërsa nga 1 janari 2026 ka nisur aplikimi i sistemit “bonus-malus”, pra ai i historikut të dëmeve. Në këtë mënyrë, primi i sigurimit nuk trajtohet më si një çmim i njëjtë për të gjithë, por lidhet më shumë me profilin real të riskut. Sot në përllogaritjen e primit konsiderohen shtatë faktorë: qarku i regjistrimit të mjetit, eksperienca e drejtuesit, mosha e drejtuesit, fuqia motorike, vjetërsia e mjetit, statusi juridik i përdoruesit (individ apo shoqëri) dhe historiku i dëmeve. Ky sistem krijon një logjikë më të drejtë: drejtuesit më të kujdesshëm shpërblehen, ndërsa sjelljet më të rrezikshme reflektohen në koston e sigurimit. Për të rritur transparencën, AMF kërkoi vendosjen në dispozicion të përllogaritësve elektronikë të primit nga të gjitha shoqëritë e sigurimit. Këta përllogaritës tashmë janë implementuar. Gjithashtu, Autoriteti ka publikuar materiale shpjeguese, pyetje-përgjigje si dhe infografika. Nga monitorimi i deritanishëm, konstatojmë se zbatimi i këtij sistemi ka dhënë efektet e para pozitive, përfshirë reduktimin e primit mesatar në treg.

Një prioritet tjetër ka qenë digjitalizimi i proceseve dhe forcimi i qëndrueshmërisë operacionale digjitale. Me asistencën e Bankës Botërore po vlerësohen sistemet aktuale mbikëqyrëse të Autoritetit, me qëllim hartimin e një plani ndërhyrjesh për modernizimin e tyre. Paralelisht, AMF dhe Banka e Shqipërisë janë angazhuar në hartimin e kuadrit ligjor për përafrimin me rregulloren europiane DORA, e cila vendos standarde të reja për menaxhimin e rreziqeve të teknologjisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike në sektorin financiar.

Po ashtu, ka avancuar puna për ngritjen e skemës së kompensimit të investitorëve, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Kjo skemë është e rëndësishme për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, sepse rrit besimin e investitorëve dhe forcon arkitekturën mbrojtëse të sistemit financiar.

Në tërësi, qasja jonë ka qenë që rekomandimet e Kuvendit të trajtohen si udhërrëfyes për reforma konkrete.

Ecuria e tregut të sigurimeve

Tregu i sigurimeve mbetet tregu më i madh dhe më kompleks nën mbikëqyrjen e AMF. Gjatë vitit 2025, ky treg paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me tregues financiarë në përputhje me kërkesat ligjore.
Mbulimi i provigjoneve teknike me aktive të lejuara në tregun e Jo-Jetës rezultoi 124.8%, ndërsa në tregun e Jetës mbulimi i provigjoneve matematike rezultoi 127%. Këta tregues provojnë se shoqëritë e sigurimit kanë mbajtur nivele të mjaftueshme aktivesh për të mbuluar detyrimet e tyre ndaj të siguruarve.

Gjatë vitit 2025, primet e shkruara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 27.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.56% krahasuar me vitin 2024. Numri i policave të lëshuara arriti në rreth 1.68 milionë, me një rritje prej 5.07%. Segmenti i Jetës pati rritje më të shpejtë, me 17.61%, ndërsa segmenti i Jo-Jetës u rrit me 9.92%.

Sigurimi i detyrueshëm vijon të dominojë tregun, duke zënë rreth 62.38% të primeve. Kjo tregon se tregu ka ende hapësirë të konsiderueshme për diversifikim, sidomos në sigurimet vullnetare, sigurimet e jetës, sigurimet e pronës, shëndetit dhe produkteve të lidhura me mbrojtjen afatgjatë të familjeve dhe bizneseve.

Portofoli i investimeve në tregun e sigurimeve arriti në rreth 46.1 miliardë lekë, me një rritje prej 9.3% krahasuar me vitin 2024. Profili i përgjithshëm mbetet konservator, me një peshë të rëndësishme në depozita bankare dhe tituj borxhi. Megjithatë, Autoriteti ka në vëmendje rritjen e peshës së pasurive të paluajtshme në portofolin e investimeve, pasi këto aktive janë më pak likuide dhe më të ndjeshme ndaj pasigurive të vlerësimit.

Një tregues me rëndësi të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e konsumatorit është ecuria e pagesës së dëmeve dhe niveli i dëmeve pezull. Për AMF, trajtimi i dëmit përbën momentin kryesor ku testohet besueshmëria reale e tregut të sigurimeve ndaj qytetarit. Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara në tregun e sigurimeve kanë mbetur në nivele të qëndrueshme (+0.82% krahasimisht me vitin 2024). Ndërkohë që Autoriteti ka vijuar monitorimin e vazhdueshëm të praktikave të vlerësimit, trajtimit dhe likuidimit të dëmeve nga shoqëritë e sigurimit. Në mënyrë të veçantë, vëmendja mbikëqyrëse është përqendruar tek administrimi i dëmeve pezull dhe përshpejtimi i procedurave të pagesës. Numri i dëmeve pezull nga shoqeritë e sigurimit, në fundvitin 2025 arriti në 12,309 duke shënuar një rënie me rreth 3% krahasuar me 2024.

Dy tregues të tjerë që meritojnë vëmendje janë penetrimi dhe densiteti i sigurimeve. Në vitin 2025, penetrimi arriti në 1.03%, ndërsa densiteti në 11,465 lekë krahasuar me 0.97 % dhe 10,251 lekë në vitin 2024.  Pavarësisht rritjes, këta tregues mbeten ende nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe OECD. Këta tregues provojnë se sfida jonë nuk është vetëm mbikëqyrja e një tregu ekzistues, por edhe inkurajimi i një kulture më të gjerë sigurimi në vend.

Në fushën e mbikëqyrjes, u realizuan gjatë vitit 2025, 2 inspektime të plota me bazë rreziku dhe 8 inspektime tematike pranë shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës, me fokus të veçantë zbatimin e faktorëve të riskut në përllogaritjen e primeve dhe procesin e trajtimit të dëmeve. Gjetjet janë ndjekur me masa konkrete dhe monitorim periodik.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar Byrosë Shqiptare të Sigurimit dhe Fondit të Kompensimit. Gjatë vitit 2025, dëmet pezull të Fondit të Kompensimit u ulën me 8.67%, ndërsa rreth 70% e rasteve të aksidenteve nga mjete të pasiguruara ose të paidentifikuara u trajtuan me procedura të përshpejtuara drejtpërdrejt nga shoqëritë e sigurimit (2024: 70.04%). Vlera e paguar nga Fondi i Kompensimit gjatë vitit 2025 arriti në rreth 245 milionë lekë.

Në kuadër të lehtësimit të lëvizjes rajonale, AMF, në bashkëpunim me Byronë Shqiptare të Sigurimit, finalizoi lëshimin e policave Karton Jeshil njëvjeçar me prim të reduktuar në vlerën prej 50 Eur për autoveturat me targa shqiptare që lëvizin drejt Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është një masë konkrete që ndihmon qytetarët dhe mbështet lëvizjen e lirë në rajon.

Autoriteti ka kontribuar gjithashtu në nismat për sigurimin nga tërmetet dhe për zhvillimin e sigurimeve në sektorin bujqësor. Këto dy fusha janë strategjike për Shqipërinë, sepse lidhen me rreziqe që mund të kenë pasoja domethënëse ekonomike dhe sociale.

Në planin ndërkombëtar, viti 2025 shënoi organizimin në Tiranë të Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), forum global i mbikëqyrjes së sigurimeve. Ky zhvillim ishte një vlerësim për progresin institucional të Autoritetit dhe një mundësi për të sjellë në Shqipëri debatin më të avancuar ndërkombëtar mbi çështjet me interes për sektorin e sigurimeve.

Fondet e investimit dhe pensionet private

Të nderuar deputetë,

Përtej sigurimeve, edhe tregjet e fondeve të investimit dhe pensioneve private kanë shënuar zhvillime pozitive.

Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive arriti në fund të vitit 2025 një vlerë neto aktivesh prej rreth 70.1 miliardë lekë, me një rritje prej 14.19%. Baza e investitorëve u zgjerua me 11.47%, duke arritur në 42,112 investitorë. Në treg operuan 14 fonde investimi me ofertë publike dhe 3 fonde alternative investimi, të administruara nga 6 shoqëri administruese.

Struktura e portofolit vijon të jetë e përqendruar kryesisht në bono thesari dhe obligacione të Qeverisë Shqiptare, të cilat zënë 82.9% të totalit të investimeve (2024:81%). Pjesa tjetër e portofolit konsiston në obligacione të qeverive të huaja, obligacione të shoqërive vendase dhe të huaja, kuota të fondeve të investimit, si dhe aksione të emetuara nga shoqëri të huaja. Ky profil ofron stabilitet nga njëra anë, por në të ardhmen kërkon zhvillim të mëtejshëm të instrumenteve dhe mundësive të diversifikimit, gjithmonë brenda një kuadri të kujdesshëm risku.

Gjatë vitit 2025, AMF realizoi 4 inspektime tematike në këtë treg, me fokus likuiditetin, përputhshmërinë ligjore, mbrojtjen e investitorëve dhe transparencën e çmimit të kuotave.

Në aspektin rregullator, një zhvillim i rëndësishëm ishte miratimi i rregullores për sigurimin e jetës të lidhur me pjesëmarrjen në sipërmarrjet e investimeve kolektive, e njohur si rregullorja për produktet unit-linked. Kjo ndërhyrje vendos kërkesa të qarta për informimin e klientit, përshtatshmërinë e produktit, administrimin e aktiveve dhe raportimin ndaj Autoritetit. Në thelb, synimi është që produktet më komplekse financiare të mos zhvillohen përpara mbrojtjes së investitorit, por bashkë me të.

Edhe tregu i pensioneve private ka shënuar rritje të qëndrueshme. Vlera neto e aktiveve arriti në rreth 10 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 21.55%, ndërsa numri i anëtarëve arriti në 49,218, rritur me 11.19%. Në këtë treg ushtruan aktivitet 7 fonde pensioni, të administruara nga 4 shoqëri administruese.

Struktura e investimeve vijon të jetë konservatore, me 96.02% të aktiveve të investuara në obligacione të Qeverisë. Kjo siguron stabilitet, por njëkohësisht tregon nevojën afatgjatë për më shumë instrumente financiare, më shumë thellësi tregu dhe mundësi më të gjera diversifikimi.

Gjatë vitit 2025 u përmbyll me sukses edhe procesi i përshtatjes së aktivitetit të shoqërive administruese, fondeve të pensionit dhe depozitarëve me dispozitat e reja të Ligjit nr. 76/2023 “Për Fondet e Pensionit Privat”. Ky është një hap i rëndësishëm për rritjen e standardeve të qeverisjes dhe mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondeve.

Pensionet private janë një treg me rëndësi të veçantë sociale. Ato nuk janë vetëm instrument financiar por pjesë e sigurisë afatgjatë të qytetarëve. Prandaj, zhvillimi i këtij tregu kërkon besim, transparencë dhe edukim të vazhdueshëm financiar.

Tregjet e kapitalit

Gjatë vitit 2025, tregjet e kapitalit kanë shfaqur një tendencë të qartë rritjeje, veçanërisht në segmentin e obligacioneve të emetuara me ofertë private. Ndërkohë, transaksionet jashtë bursës me tituj qeveritarë ranë në 97.5 miliardë lekë.

Shuma e pashlyer e këtyre instrumenteve arriti në rreth 39 miliardë lekë, nga rreth 28 miliardë lekë në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje prej rreth 38%. Kjo tregon se ky instrument po konsolidohet gradualisht si një alternativë financimi dhe investimi.

Gjithashtu, bankat vijuan të ofrojnë për klientët instrumente financiare të huaja, si obligacione, aksione, çertifikata dhe eurobonde. Vëllimi total i tregtimit të këtyre instrumenteve arriti në rreth 10 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1% krahasuar me vitin 2024.

Në tregjet e kapitalit ushtruan veprimtari gjithsej 13 subjekte, 9 nga të cilat, banka të licencuara për ofrimin e shërbimeve të investimit dhe shërbimeve ndihmëse të kujdestarisë. Megjithatë, tregu i titujve të Qeverisë Shqiptare mbetet ende segmenti kryesor dhe më aktiv.

Për herë të parë, gjatë vitit 2025 filloi zbatimi i kërkesave të Rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së Depozitarit Qendror të Titujve” lidhur me depozitimin pranë Autoritetit të vetëvlerësimit të veprimtarisë së Depozitarit Qendror të Titujve (ALREG). Ky vetëvlerësim përbën një element të rëndësishëm mbështetës për procesin e shqyrtimit dhe vlerësimit mbikëqyrës të Autoritetit, duke forcuar transparencën, monitorimin dhe qasjen mbikëqyrëse të bazuar në rrezik, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Për AMF, objektivi nuk është vetëm rritja e volumit të tregut, por funksionimi i tij i drejtë, transparent dhe i rregullt. Në këtë drejtim, zbatimi i rregullores përkatëse të miratuar në Prill 2025 mbi formën dhe procedurën e regjistrimit të aktofertës për emetimin e titujve të borxhit, ka kontribuar në standardizimin e procedurave dhe në forcimin e mbrojtjes së investitorëve.

Tregjet e kapitalit në Shqipëri kanë një potencial të konsiderueshëm zhvillimi, i cili vlerësojmë se duhet të ndërtohet mbi standarde, transparencë, investitorë të mirëinformuar dhe institucione të besueshme.

Mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi financiar

Të nderuar deputetë,

Në fokusin e punës së Autoritetit, qëndron edhe forcimi i besimit të publikut, që përtej kuadrit ligjor dhe rregullator, ndërtohet çdo ditë, në mënyrën se si qytetari informohet, si trajtohet ankesa e tij, si merr shpjegim për produktin dhe si e ndien praninë e rregullatorit kur ka një problem real.

Gjatë vitit 2025, AMF ka administruar dhe marrë në shqyrtim 258 ankesa nga qytetarët. Rreth 59% e tyre kanë rezultuar në zgjidhjen e problematikës së ngritur ose në adresimin konkret të saj pas ndërhyrjes së Autoritetit. Pjesa tjetër përfshin raste ku nuk janë konstatuar shkelje, pretendimet nuk janë mbështetur nga dokumentacioni, çështjet kanë qenë jashtë kompetencës së Autoritetit ose nuk është arritur dakordësi ndërmjet palëve.

Ky tregues është domethënës, pasi tregon se mekanizmi i ankesave funksionon në mënyrë efektive dhe jo thjesht formale, duke kontribuar në adresimin real të shqetësimeve të qytetarëve. Ai prodhon rezultate, evidenton problematika, orienton inspektime tematike dhe ndihmon Autoritetin të kuptojë më mirë se ku tregu ka nevojë për ndërhyrje rregullatore.

Në të njëjtën kohë, AMF ka zgjeruar veprimtarinë e saj drejt edukimit financiar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si edhe me shoqatat e tregut. Vlen të përmendet se ndër të tjera, Autoriteti organizoi gjatë vitit 2025 edhe programin “Trajnimi i Trajnerëve”, me përfaqësues të shoqërive të sigurimeve, shoqatave të sigurimeve, bankave dhe brokerëve, si edhe pedagogë të universiteteve publike dhe private, duke krijuar kështu një bazë ekspertësh me njohuri të thelluara në fushën e sigurimeve, që do të kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale në tregjet nën mbikëqyrje.

Gjithashtu, gjatë vitit 2026 kemi rikonceptuar edhe mënyrën e komunikimit publik të Autoritetit, me synimin për një informim më të qartë, më të aksesueshëm dhe më të dobishëm për publikun. Kemi rritur frekuencën dhe cilësinë e informimit, kemi pasuruar buletinet statistikore, kemi përshtatur e modernizuar grafikisht formën e paraqitjes së informacionit për ta bërë atë më të kuptueshëm. Është e qarte se transparenca nuk kufizohet thjesht në publikim, ajo duhet të garantojë aftësinë e qytetarit për të aksesuar informacionin me efektivitet, si edhe për ta kuptuar drejt atë.

Prioritetet për periudhën në vijim

Të nderuar deputetë,

Për vitin 2026 dhe periudhën në vijim, prioritetet e Autoritetit mbeten të lidhura ngushtë me procesin e integrimit europian, duke vendosur themelet për institucione më të forta, forcimin e stabilitetit financiar në vend dhe modernizimin e mbikëqyrjes.

Prioriteti i parë është përafrimi i kuadrit ligjor vendas me acquis të Bashkimit Europian. Raporti i Komisionit Evropian për Kapitullin 9 vlerëson se Shqipëria ndodhet ndërmjet nivelit mesatar dhe të mirë të përgatitjes në shërbimet financiare. Autoriteti është institucioni drejtues për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, ku kontribuojnë dhe Banka e Shqipërisë dha Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Plani i veprimit në parashikimet aktuale përmban hartimin e rreth 30 akteve ligjore dhe nënligjore nga të cilat 15 janë ligje.  Autoriteti ka përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për 7 nga këto.

Prioriteti i dytë është zbatimi efektiv i reformave prudenciale, veçanërisht Solvency II dhe SNRF 17. Këto procese do të ndryshojnë mënyrën se si vlerësohet kapitali, risku, raportimi financiar dhe qeverisja e shoqërive të sigurimit. Për këtë arsye, puna jonë po fokusohet jo vetëm te hartimi i kuadrit ligjor, por edhe te gatishmëria reale e tregut për ta zbatuar atë.

Prioriteti i tretë është modernizimi i infrastrukturës digjitale dhe forcimi i qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve kibernetike dhe teknologjike. Në këtë kuadër, Autoriteti ka filluar punën për modernizimin e platformave kryesore të tregut të sigurimeve lidhur me shitjet dhe dëmet për të përmbushur standartet europiane. Risi do paraqesë: verifikimi i policës me QR code, çka përkthehet në përmirësim të shërbimeve për konsumatorin dhe rritje të transparencës; përmirësimi i qëndrueshmërise institucionale (duke përfshirë plan të vazhdimësisë së biznesit dhe qendër për rimëkëmbjen nga fatkeqesitë - disaster recovery site) duke siguruar vijmësinë e sistemeve pas ndodhisë së një eventi kritik. Kjo infrastrukturë do të përfshijë çertifikime europiane në përputhshmëri të plotë me GDPR (regullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale) dhe DORA (regullorja për qëndrueshmërinë operacionale digjitale). Përafrimi me DORA dhe koordinimi me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të jenë elementë kyç të krijimit të stabilitetit të shtuar financiar kundrejt rreziqeve kibernetike.

Prioriteti i katërt është pjesëmarrja aktive në Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), të organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Ky proces është i rëndësishëm jo vetëm për vlerësimin ndërkombëtar të sektorit financiar, por edhe për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit të stabilitetit financiar, menaxhimit të krizave, mbrojtjes së konsumatorit dhe mbikëqyrjes prudenciale.

Prioriteti i pestë është forcimi i masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në muajin prill 2026 u zhvilluan takimet teknike dhe institucionale me ekipin vlerësues të MONEYVAL, në kuadër të raundit të gjashtë të vlerësimit të Shqipërisë. AMF do të vijojë të forcojë qasjen e mbikëqyrjes me bazë risku, transparencën dhe mekanizmat e kontrollit në sektorin financiar jobankar.

Gjithashtu, për sa i përket fazës tjetër të integrimit që konsiston në zbatueshmërinë e kuadrit të ri ligjor dhe rregullator, AMF është në diskutime intensive me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me një program binjakëzimi institucional me autoritetin homolog gjerman (BaFin). Ky program synon të sjellë asistencë teknike të specializuar për zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe rregullator, si dhe për konvergjencën graduale me standardet europiane të mbikëqyrjes.

E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë,

Viti 2025 dëshmoi se tregjet financiare jobankare në Shqipëri po rriten, po konsolidohen dhe po bëhen më të rëndësishme për ekonominë dhe qytetarët, zhvillime të cilat përkthehen në më shumë përgjegjësi për ne si institucion. Sa më shumë rritet tregu, aq më e rëndësishme bëhet mbikëqyrja. Sa më komplekse bëhen produktet, aq më e domosdoshme bëhet transparenca. Sa më shumë qytetarë marrin pjesë në këto tregje, aq më e madhe bëhet nevoja për t’i mbrojtur ata.

Ndaj teksa synohet mundësimi i zhvillimit të mëtejshëm të sektorit financiar jobankar, drejt një sistemi më të sigurt, më transparent, më konkurrues dhe të përafruar me standardet europiane, në thelb sfida jonë nuk kufizohet vetëm në mbikëqyrjen e tregjeve.

Sfida jonë është të ndërtojmë besim: Besim në tregun e sigurimeve, që qytetari të ndihet i mbrojtur teksa përballet me dëmin; Besim në fondet e investimit, që investitori të ndihet i informuar dhe i trajtuar drejt; Besim në pensionet private, që qytetari të gjejë një instrument real sigurie për të ardhmen e tij; Besim në tregjet e kapitalit, që ekonomia të ketë më shumë alternativa financimi dhe investitori më shumë mundësi zgjedhjeje. Dhe mbi të gjitha, besim tek institucionet që garantojnë integritet dhe rregulla tregu.

Ky është angazhimi ynë i përditshëm, ky është drejtimi strategjik në vijim.

Ju faleminderit për vëmendjen!