24 Qershor 2026

Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar - Maj 2026

Gjatë periudhës Janar - Maj 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.  

Primet e shkruara bruto arritën në rreth 10.57 miliardë lekë, me një rritje prej 4.90% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 3.83 miliardë lekë, me një rritje prej 15.86%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 4.92% dhe 6.28%, duke vijuar konfirmimin për zgjerimin e aktivitetit të sigurimeve.

Primi Mesatar Bruto i Shkruar në nivel tregu mbeti thuajse i pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 0.02%, teksa dëmi mesatar i paguar (Jetë dhe Jo Jetë) përllogaritet me tejkalim të ndjeshëm, me rritje vjetore prej 11.12%. 
 
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-jetë, i cili përbën 90.56% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 9.57 miliardë lekë, me rritje prej 4.89%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 3.56 miliardë lekë, me rritje prej 18.77%.  
 
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 65.88% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 6.31 miliardë lekë, në rritje me 4.35%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 2.42 miliardë lekë, në rritje me 15.60%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 1.54% dhe 2.52%. 
 
Sigurimet vullnetare vijojnë të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 3.27 miliardë lekë, me një rritje prej 5.94%, mbështetur nga performanca e shumicës së klasave, ndonëse me variacione të ndjeshme ndërmjet tyre. Dëmet e paguara bruto për këtë kategori arritën në rreth 1.14 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 26.08%.
 
Segmenti Jetë edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 9.44% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 1.00 miliardë lekë, me rritje prej 5.50%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3.46%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.17 miliardë lekë, me një rritje prej 5.47%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 24.37%.  
 
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues 
 
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar - Maj 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore,  janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:  
 
Në sigurimet motorike, veçanërisht primi mesatar i produktit dominues, MTPL e brendshme, është ulur edhe më tej, me 2.12%, i cili vijon të vlerësohet si rezultat i efektit të zbatimit të faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024. 
Dy produktet e tjerë të sigurimeve të detyrueshme motorike (kartoni jeshil dhe kufitare), edhe pse me peshë të moderuar, raportojnë rënie si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s.
 
Referuar sigurimeve vullnetare, rritja vjetore e primeve te shkruara bruto në këtë 5 mujor, reflekton kryesisht ndikimin nga klasat e aksidenteve dhe shëndetit dhe të përgjegjësisë civile (me kontribut të përbashkët në këtë rritje në masën rreth 55%).
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, si edhe nga dëmtime të tjera në pronë, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.  
 
Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet më së shumti nga kontratat flexi plan .

Referuar statistikave të dy muajve të fundit, vërehet se aktiviteti i dëmeve është stabilizuar, duke ruajtur nivele të qëndrueshme si në vëllimin e pagesave të dëmeve, ashtu edhe në numrin e rasteve.

Për të lexuar Raportin Statistikor, klikoni këtu.