1 Korrik 2026

Autoriteti raporton në Komisionin për Nismat Qytetare Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi veprimtarinë e vitit 2025

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Adela Xhemali, raportoi në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, gjatë shqyrtimit të projektrezolutës "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025".

Në fjalën e saj, znj. Xhemali theksoi se Autoriteti ka ndjekur me përgjegjësi zbatimin e rekomandimeve të përcaktuara në rezolutën e Kuvendit, disa prej të cilave vijojnë të ndiqen sipas proceseve që lidhen me përafrimin e kuadrit ligjor me acquis të Bashkimit Europian dhe përgatitjen e tregjeve për zbatimin e arkitekturës së re rregullatore.

Gjatë raportimit u evidentua progresi në forcimin e kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator për tregjet financiare jobankare, përfshirë avancimin drejt Solvency II, përgatitjet për SNRF 17, përshtatjen e tregut të pensioneve private me kuadrin e ri ligjor dhe monitorimin e tregut të fondeve të investimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të sistemeve të raportimit dhe transformimit digjital.

Znj. Xhemali theksoi gjithashtu se Autoriteti mbetet i angazhuar në mbrojtjen e konsumatorit, forcimin e transparencës institucionale dhe edukimit financiar, si dhe në përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe praktikave mbikëqyrëse me standardet e BE-së.

Anëtarët e Komisionin vlerësuan progresin dhe hapat pozitivë të bëra nga Autoriteti veçanërisht në përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian dhe shprehën mbështetjen për bashkëpunim ndërinsitucional edhe më intensiv.

Komisioni vijoi më pas diskutimet mbi projektrezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025" dhe Autoriteti rikonfirmoi përkushtimin për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe bashkëpunimin e plotë institucional në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve financiare jobankare.

 
 
 

amf

amf

amf