Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit takim me Bordin Drejtues të Agjencisë Kroate HANFA – Forcim i partneritetit në mbështetje të integrimit evropian
Bashkëpunimi dhe mbështetja në rrugëtimin drejt integrimit evropian ishin në fokus të takimit që Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Adela Xhemali zhvilloi në Zagreb, me Bordin Drejtues të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Kroacisë, HANFA, ku morën pjesë Znj. Anamarija Stanicic, Zëvendëskryetare e Bordit të Hanfa-s, anëtarja e Bordit, znj Martina Veric, Zëvendësdrejtorja Ekzekutive e AMF-së, znj. Merita Gurabardhi dhe Këshilltari z. Artur Tomini.
Znj Xhemali vlerësoi dhe falenderoi për organizimin e kësaj vizite, ku u diskutuan prioritetet e transpozimit dhe zbatimit të mbikëqyrjes me bazë risku në fushën e sigurimeve, fondeve të investimit dhe tregjeve të kapitalit.
“Autoriteti, tha znj Xhemali, po zbaton një program të gjerë reformash rregullatore dhe mbikëqyrëse. Këto reforma po zhvillohen në një kohë kur tregjet nën mbikëqyrjen tonë vazhdojnë të rriten dhe të bëhen gjithnjë e më komplekse. Për rrjedhojë, përgjegjësia jonë është e dyfishtë: të arrijmë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe, njëkohësisht, të ruajmë stabilitetin financiar, të mbrojmë të siguruarit dhe investitorët, si dhe të sigurojmë që ndryshimet rregullatore të mbeten proporcionale me madhësinë dhe profilin e riskut të tregut tonë.”
Znj. Anamarija Stanicic, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse në rajon:
“Shkëmbimi i përvojës rregullatore dhe mbikëqyrëse është një instrument i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e zhvillimit të tregjeve financiare të qëndrueshme. HANFA mbetet e angazhuar për t’u ofruar mbështetje profesionale institucioneve partnere, veçanërisht atyre në rajon që po përparojnë drejt kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës evropian. Jemi të kënaqur që, së bashku me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, kemi ndërtuar prej shumë vitesh një partneritet të rëndësishëm dhe produktiv. Jemi të bindur se takime të tilla do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.”
Drejtoresha Xhemali theksoi se në kuadër të Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit, Autoriteti do të vlerësonte mbështetjen e HANFA-s për krijimin e një partneriteti më të strukturuar, të orientuar drejt procesit të anëtarësimit përmes një programi të përbashkët shumëvjeçar pune si dhe iniciativa të përbashkëta.
Ky takim u zhvillua gjatë një vizite studimore të një ekipi prej drejtues dhe ekspertë të lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) më 14–15 korrik pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes së Shërbimeve Financiare të Kroacisë (HANFA). Në fokus të diskutimeve ishin zbatimi i regjimit Solvency II, sigurimi i detyrueshëm motorik (MTPL) dhe praktikat më të mira evropiane në sektorin e sigurimeve, zbatimi i direktivave UCITS dhe AIFMD për fondet e investimeve, përgjegjësitë institucionale dhe zbatimi i rregullores MiCA dhe DORA si edhe mbikëqyrja e tregut të kapitaleve në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.




Shqip
English