Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar - Qershor 2026
Gjatë periudhës Janar - Qershor 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.
Primet e shkruara bruto arritën në rreth 13.23 miliardë lekë, me një rritje prej 3.16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 4.78 miliardë lekë, me një rritje prej 16.75%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 5.76% dhe 8.16%, duke vijuar konfirmimin për zgjerimin e aktivitetit të sigurimeve.
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-jetë, i cili përbën 90.74% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 12.01 miliardë lekë, me rritje prej 2.89%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 4.45 miliardë lekë, me rritje prej 19.62%.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 65.64% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 7.88 miliardë lekë, në rritje me 4.65%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 3.12 miliardë lekë, në rritje me 18.03%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 2.57% dhe 5.25%.
Sigurimet vullnetare paraqiten thuajse të pandryshuara në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 4.13 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.30%, ku rritja në shumicën e klasave u kompensua nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë. Dëmet e paguara bruto për sigurimet vullnetare arritën në rreth 1.33 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 23.51% kryesisht nga sigurimet ndaj zjarrit dhe dëmtime të tjera të pronës.
Segmenti Jetë edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 9.26% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në mbi 1.22 miliardë lekë, me rritje prej 6.21%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3.67%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.19 miliardë lekë, me një rritje prej 1.80%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 31.89%.
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar - Qershor 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore, janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:
Në sigurimet motorike, vijon të vlerësohet si ndikim zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024.
Dy produktet e tjerë të sigurimeve të detyrueshme motorike (kartoni jeshil dhe kufitare), edhe pse me peshë të moderuar, raportojnë rënie si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s.
Referuar sigurimeve vullnetare, ecuria e primeve të shkruara bruto në këtë 6 mujor reflekton rritjen në klasat e aksidenteve dhe shëndetit dhe të përgjegjësisë civile, e cila u kompensua kryesisht nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë.
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli MTPL dhe ai i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.
Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet kryesisht nga kontratat flexi plan .
Referuar statistikave të muajve të fundit, vërehet se aktiviteti i dëmeve në përgjithësi është stabilizuar, duke ruajtur nivele të qëndrueshme si në vëllimin e pagesave të dëmeve, ashtu edhe në numrin e rasteve.
Për të lexuar Raportin Statistikor, klikoni këtu.
Shqip
English