23 Tetor 2015

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar - shtator 2015

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - shtator 2015 kapën vlerën mbi 10,067 milionë lekë, ose 17.27% më shumë se në periudhën janar - shtator 2014. Gjatë periudhës janar - shtator 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 812,287 me një rritje prej 7.17% krahasuar me periudhën janar - shtator 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.04% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 6.84% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.13%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.31% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.69% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar - shtator 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,344 milionë lekë, ose 17.63% më shumë se në periudhën janar - shtator 2014.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar - shtator 2015 arritën rreth 6,102 milionë lekë, ose 21.38% më shumë se në periudhën janar - shtator 2014.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar - shtator 2015, pati një rritje prej 27.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 6.79% krahasuar me periudhën janar - shtator 2014.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar - shtator 2015 pati një ulje prej 15.96% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 26.47% krahasuar me periudhën janar - shtator 2014.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar - shtator 2015, pati një rritje me 17.77% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar - shtator 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 19.00%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar - shtator 2015 arritën mbi 3,953 milionë lekë, 11.96% më shumë se në periudhën janar - shtator 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 12.06% krahasuar me periudhën janar - shtator 2014.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - shtator 2015, patën rritje me 17.82% kundrejt periudhës janar - shtator 2014.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar - shtator 2015 siguruan mbi 1,848 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.92%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 19.29% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar - shtator 2015, vihet re një ulje prej 0.22% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.02% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - shtator 2014.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar - shtator 2015, arritën në rreth 904 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 48.97% në krahasim me periudhën janar - shtator 2014.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar - shtator 2015, arritën rreth 688 milionë lekë, ose 9.41% më pak se në periudhën janar - shtator të vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - shtator 2015 u rritën me 17.63% krahasuar me periudhën janar - shtator 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,490 milionë lekë, apo 63.55% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

 

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar - shtator 2015, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për muajin janar - shtator 2015 (në versionin EXCEL) klikoni këtu.