10 Shkurt 2009

Miratohet nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Projektligji "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit"

Në mbledhjen e datës 9 shkurt 2009, Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, diskutoi dhe miratoi Projektligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit".

Projektligji është hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me mbështetjen dhe konsulencën e Ministrisë së Financave.

Në fokus të projektligjit, është përcaktimi i qartë i rregullave në mbrojtje të palëve të treta të dëmtuara nga aksidentet dhe të gjithë konsumatorëve të policave të sigurimit të detyrueshëm.

Në funksion të këtij qëllimi, projektligji sjell përmirësime të kuadrit rregullativ, duke bërë një reformë të vërtetë ligjore.

Përmirësimet dhe risitë konsistojnë në drejtim të procedurave dhe në aspekte të tjera të trajtimit të dëmeve, në drejtim të mbajtjes dhe ruajtjes së të dhënave të aksidenteve nëpërmjet krijimit të Qendrës së Informacionit të Sigurimeve, duke hedhur bazat për krijimin e një sistemi bonus malus në të ardhmen.

Zgjerimi i gamës së produkteve të sigurimit të detyrueshëm në sektorë të tjerë të transportit, si ai ajror dhe detar i jep një dimension të ri dhe frymëmarje tregut.

Ky projektligj është mbështetur në direktivat e Komisionit Evropian për këtë fushë, duke sjellë rritje të shkallës së përafrimit me këto direktiva.

 

Për të lexuar tekstin e plotë të Projektligjit "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", klikoni këtu