13 Shkurt 2009

Miratohet në seancë plenare, në Kuvendin e Shqipërisë, projektligji "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit"

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 12 shkurt 2009, miratoi në seancë plenare projektligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit." i cili mbart tashmë nr. 10 076, datë 12.02.2009. Ky ligj, pret të dekretohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Nisur nga risitë dhe përmirësimet që solli projektligji, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi me tërë votat e deputetëve të pranishëm në sallë.

Ligji 10 076, datë 12.02.2009 u bë i nevojshëm, për pasqyrimin në përmbajtjen e tij të ndryshimeve të ndodhura në tregun e sigurimeve që nga koha e miratimit të ligjit nr. 7641, datë 15.9.1992 "Për miratimin me disa ndryshime të Dekretit nr. 295, datë 15.9.1992 të Presidentit të Republikës "Për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorrike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë".

Në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues, ky ligj përmban disa risi, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Zgjerohet gama e produkteve të sigurimit të detyrueshëm. Krahas sigurimit të përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar palës së tretë, si rezultat i përdorimit të mjeteve motorrike, të parashikuara në ligjin paraardhës, ligji i ri, parashikon shtimin e dy produkteve të reja, që janë:

a) Sigurimi i detyrueshëm për aksidentet ndaj pasagjerëve në linjat e transportit publik.
b) Sigurimi i përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar palës së tretë nga përdorimi i mjeteve të transportit ajror dhe detar.

2. Përmirësohen procedurat për mbulimin e dëmeve dhe shërbimin ndaj konsumatorit, të cilat shprehen në:

a) Lehtësimin e procedurave për marrjen e dëmshpërblimit nga të aksidentuarit prej mjeteve motorrike që kanë kontratë sigurimi të detyrueshëm, në rastet kur ka marrëveshje ndërmjet shoqërive përkatëse të sigurimit. Krahas praktikës së deritanishme, për dhënien e dëmshpërblimit nga siguruesi i shkaktarit të dëmit, ligji i ri, krijon mundësinë për dhënien e dëmshpërblimit nga siguruesi i drejtpërdrejtë, me të cilin subjekti i dëmtuar ka lidhur kontratën e sigurimit.
b) Saktësohen llojet e dëmeve që mbulon kontrata e sigurimit të detyrueshëm, të cilat kategorizohen në dëme pasurore e shëndetësore, si dhe dëme morale që i shkaktohen integritetit fizik e psikologjik të palës së dëmtuar.
c) Vendosen afate për trajtimin e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit, duke shmangur zvarritjet e mundshme në këtë drejtim.

3. Krijohet struktura institucionale për mbledhjen, ruajtjen dhe përpunimin e informacionit për sigurimet e detyrueshme, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së informacionit, kryerjen e analizave paraprake të zhvillimit të tregut të sigurimeve, si dhe rritjen e rolit mbikëqyrës e monitorues të këtij tregu.

4. Përmirësohen strukturat mbikëqyrëse të tregut të sigurimeve dhe funksionet që ato kryejnë, të cilat shprehet në:

a) Kompetencën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për nxjerrjen e rregullave dhe metodikave për përllogaritjen e primit të sigurimeve të detyrueshme.
b) Konsolidimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, si ent i pavarur ku anëtarësohen shoqëritë e sigurimeve, e cila kryen funksionet e entit kompensues për bërjen e pagesave sipas ligjit. Mbikëqyrja e BSHS-së bëhet nga AMF.

5. Rregullohen sanksionet për rastet e shkeljes së dispozitave të këtij ligji, në përputhje me natyrën e shkeljes, me qëllim rritjen e shkallës së zbatueshmërisë së këtij ligji.

Dispozitat e Ligjit të miratuar, nr. 10 076, datë 12.02.2009, janë përafruar me direktivat e BE-së dhe me përvojën e përparuar të vendeve të tjera të rajonit, duke mbajtur në konsideratë edhe kushtet specifike të tregut shqiptar të sigurimeve. Këto dispozita, janë përputhur me përcaktimet e dhëna në kodet përkatëse.