25 Shkurt 2009

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Muajin Janar 2009

Në muajin Janar 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 55,135 duke shënuar një rritje prej rreth 31% në krahasim me të njejtën periudhë të vitit 2008. Rritja e numrit të kontratave në 2009 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 670 milionë lekë, shifër kjo 40% më e lartë se ajo e të njejtës periudhë të vitit 2008. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 10 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm  zënë 53 % të totalit të tregut.. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Gjatë kësaj periudhe të vitit 2009 sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun Shqiptar, duke sjellë rreth 53 % të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve.

  • Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në Janar të vitit 2009 janë rreth 235 milionë lekë ose 1% më tepër se muaji Janar 2008 ndërsa numri i kontratave ka pësuar një ulje prej 2% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar
  • Në muajin Janar 2009, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 105 milionë lekë, ose 50% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2008, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 6 % krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
  • Sigurimi Kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 1% në krahasim me periudhën Janar 2008. Në të njejtën kohë numri i kontrave të sigurimit kufitar pati një rritje në masën 17%.

Sigurimi vullnetar

Në muajin Janar 2009,  vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 315 milionë lekë me një rritje prej 94% kundrejt të njejtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 79% rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 82% krahasuar me një vit më parë.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 165 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 55% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24% dhe më pas vjen  sigurimi mallra në transport me 11%.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' ndihet një rritje prej 19 % e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 42% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

Në Janar të vitit 2009, sigurimet e përgjegjësisë vazhdojnë të ruajnë dinamikën më të lartë të rritjes. Rritja e këtij portofoli me rreth 180% krahasuar me Janar të vitit 2008, reflekton ndikimin që stadi aktual i zhvillimit të vendit ka në rritjen e sigurimit të përgjegjësive. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive, në këtë periudhë shumëfishuan rritjen në volumin e primeve të shkruara dhe në numrin të kontratave krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shpjegohet me rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në ndërtime të tjera inxhinjerike.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në muajin Janar të vitit 2009 arritën në rreth 29 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 99% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit lidhet si me rritjen e të ardhurave të sigurimit të shëndetit në udhëtim dhe me rritjen e të ardhurave të shëndetit privat.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës arriti në rreth 68 milionë lekë me një rritje prej 154% krahasuar me Janarin e vitit  2008.

Peshën më të madhe prej rreth 48% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Dëmet e paguara bruto

Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në Janar të vitit 2009 ishte rreth 89 milionë lekë, ose 1 % më pak se në vitin 2008.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 82 milionë lekë, apo 92% të totalit të dëmeve të paguara bruto..

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorrik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme, Kasko Karton Jeshil, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2008

2009

Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

67

88

Karton Jeshil

634

667

Kasko

82

83

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor Janar 2009 përmban një pasqyrë të detajuar të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.


Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar 2009 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën janar 2009 (në versionin PDF) klikoni këtu